Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DRITA - TREPÇA '89

3 gola për 3 pikë, Drita e pandalshme në shtëpi

3 gola për 3 pikë, Drita e pandalshme në shtëpi


8 October, 2022 @14:15

7 fitore e 3 barazime për Dritën pas 10 ndeshjeve të para këtë sezon. Skuadra gjilanase nuk di çka është lëshimi i pikëve kur bëhet fjalë për ndeshjet në shtëpi, ku ka 5 fitore në po aq ndeshje këtë sezon.

Gjilanasit sot shënuan fitore 3-1 (Muharrem Jashari 7’, Besnik Krasniqi (P) 54’, Ardit Tahiri 70’ / Ardian Muja 90+3’) ndaj Trepçës ‘89, për ta vazhduar kryesimin e Superligës.

Muharrem Jashari, ish-futbollisti i Trepçës ‘89, e hapi serinë e golave sot, duke shënuar në minutën e 7’, e më pas Drita shënoi edhe dy herë në pjesën e dytë, derisa mitrovicasit krejt në fund e gjetën golin e nderit.

TABELA AKTUALE

Mënyra se si Drita e shënoi golin e dytë ishte mjaft interesante. Ndërkohë që VAR-i po e rishikonte një rast të dyshimtë për penallti në të mirë të Dritës, mitrovicasit e gjetën golin e barazimit. Por, pasi që VAR-i vendosi të referonte penallti për Dritën, goli i Trepçës ‘89 u anulua dhe Drita shënoi nga pika e bardhë në cepin tjetër të fushës. I saktë nga 11-metërshi ishte Besnik Krasniqi (54’).

Në minutën e 70’, golin e gjeti Ardit Tahiri, i cili shënoi lehtësisht pas një gabimi të mbrojtjes mysafire.

Krejt në fund, mysafirët e gjetën golin e nderit. Ishte Ardian Muja ai që shënoi pas asistimit nga Christian Mba dhe kështu ndeshja u mbyll me rezultatin final 3-1.

Me 3 ndeshje të luajtura më shumë se Ballkani, Drita i prin ligës me 24 pikë, duke qenë skuadra e vetme pa humbje në Superligë, kurse Trepça ‘89 ka 9 pikë pas 8 ndeshjeve të luajtura.

Xhiron që vjen, Drita i shkon Dukagjinit në Klinë, kurse ‘89shi e pret Llapin në shtëpi.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga