SONTE, LEGIA - PRISHTINA
A do të arrijnë historinë në BCL për ekipet kosovare?
20 September, 2019 @11:01
Dueli i kthimit luhet sonte. Ekipi kampion i Kosovës, KB Prishtina, është mysafire në kryeqytetin polak, Varshavë, ku e pret Legia.
Polakët fituan ndeshjen e parë në Prishtinë, duke e mposhtur ekipin bardhekaltër me dy pikë epërsi në fund, për të pasur avantazhin minimal për ndeshjen e kthimit.
Prishtina, asnjëherë nuk ka arritur të kalojë raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve të basketbollit. Kjo është hera e tretë që kampionët e Kosovës marrin pjesë në këtë garë dhe mundësia e tretë që të arrijnë një kthesë historike si për klubin, ashtu edhe në histori të basketbollit vendor.
Basketball Champions League është në stinorin e katërt të historisë së shkurtër të saj, ndërsa Prishtina po merr pjesë për herë të tretë.
Herën e parë 2017/18 Prishtina nuk kishte arritur të kalonte pengesën belloruse, Tsmoki Minsk nga të cilët ishte mposhtur në të dyja ndeshjet, 50-57 dhe 74-89.
Në stinorin e kaluar 2018/19 përjetoi shokun më të madh. Pas fitores me 20 pikë dallim në Prishtinë 84-64, u mposht nga ekipi holandez Groningen 80-55 për tu eliminuar.
E kësaj radhe, rivali polak ka 2 pikë epërsi nga dueli i parë. Ajo që dihet, është se Prishtina nuk ka fituar si mysafir asnjëherë në BCL.
E këtë, kësaj radhe duhet ta arrijnë, me së paku 3 pikë epërsi, ashtu që grupi i lojtarëve të këtij stinori të hyjë në histori të klubit.
Forma e mirë e Dardan Berishës, Fahro Alihodzicit dhe loja e Mikaile Tmusicit - mund t’i hapin Prishtinës këtë rrugë, në përballjen që nis në ora 20:00 sonte.
Ndeshja do të transmetohet direkt në kanalin YouTube të kësaj lige, linkun e së cilës do ta publikojmë më vonë.