MATCH REPORT: AS PRISHTINA - MEGASPORT
AS Prishtina s’ndalet, seria perfekte vazhdon
5 December, 2020 @19:39
Tetë ndeshje, tetë fitore. Ky është bilansi aktual i skuadrës AS Prishtina që në Ligë të Parë të basketbollit të Kosovës nuk po njeh kundërshtarë.
Të drejtuar nga Valentin Spaqi ata sot kanë mposhtur edhe Megasportin e drejtuar nga Edon Godeni duke fituar ndeshjen në fund me 12 pikë dallim 87-75 [22-11, 23-25, 21-13, 21-26].
Ndeshja ka qenë me kthesa sipas çerekëve, por rezultati i thellë i krijuar në çerek të parë dhe të tretë kanë qenë vendimtar në atë përfundimtar për vendasit.
Dardan Sejdiu ka kryer ndeshjen me double-double te AS Prishtina (23 pikë + 12 kërcime) njëjtë sikurse edhe bashkëlojtari i tij Rron Kurti (10 pikë + 13 kërcime).
Alban Latifaj ishte lojtari i ndeshjes te AS Prishtina, që kreu lojën me indeks efiçence 32, duke shënuar 22 pikë, 9 kërcime e 8 asistime - për pak - për të arritur te triple-double.
Ardit Osmani dhe Ensar Muriqi ishin më të dalluarit te mysafirët. I pari shënoi 20, ndërsa i dyti 17 pikë në humbjen e ekipit.
Fitorja mban të pamposhtur dhe të paprekshëm në krye AS Prishtinën, që tashmë ka bilans 8-0. Ndërsa Megasport bie në pozitë të shtatë të renditjes me bilans 2-6.