Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VENDIMET E KG-së

Bashkimi dënohet me 2100€, Rahoveci 200€, Vëllaznimi me 400€!

Fotot: KBBashkimi & KBRahoveci/ fb

Bashkimi dënohet me 2100€, Rahoveci 200€, Vëllaznimi me 400€!


9 November, 2022 @11:23

Fundjava e Superligës me incidente në lojën Bashkimi-Trepça nuk ka kaluar pa dënime nga Komisioni i Garave të FBK-së. Në Informatorin e fundit të Superligës, nënshkruar nga kryesuesi i Komisionit janë shqiptuar dënimet për skuadrat e Superligës, derisa në fundjavë pa dënim ka shpëtuar vetëm Trepça, derisa Peja-Prizreni nuk është zhvilluar. Të gjitha skuadrat tjera janë dënuar qoftë për shkak të tifozërive, qoftë për shkak të mos-organizimit adekuat të ndeshjes.

Gjobat nga ndeshja Bashkimi-Trepça

Skuadra e Bashkimit është dënuar me 2 mijë e 100 euro për shkak të incidenteve të shkaktuara në përballjen e fundit ndaj Trepçës. Një dënim prej 1 mijë euro, një tjetër prej 500 eurosh dhe prej 600 eurosh janë tri dënimet që kanë çuar totalin në 2 mijë e 100 euro!

Vendmimi i KG-së ka shkruar:

“KB Bashkimi dënohet me 500 Euro konform nenit 48.18 të PG. KB Bashkimi dënohet me 600 Euro konform nenit 49.4 të PG. KB Bashkimi dënohet me 1000 Euro konform nenit 49.9 të PG.”

Qendrim Biraj @ Bashkimi

Neni 49.4 thotë: Hedhja e gjësendeve të forta të cilat mund të shkaktojnë lëndime të rënda. Neni 49.9 thotë: Largimi në teshatore pas vërejtjes së parë nga gjyqtari i parë (5 minuta). Ndërsa Neni 48.18 thotë: Organizimi i përgjithshëm i dobët sipas konstatimit të vëzhguesit.

Gjobat nga ndeshja Rahoveci-Vëllaznimi

Në përballjen tjetër të fundjavës, Rahoveci-Vëllaznimi janë gjobitur të dyja skuadrat. Derisa Rahoveci ka marrë dënim prej 200 eurosh, Vëllaznimit dënimi i ka shkuar në 400 euro!

“KB Rahoveci dënohet me 200 Euro konform nenit 48.16 të PG.” — ka shkruar në Informatorin Nr. 9 të Superligës për vreshtarët.

Ky Nen thotë: Mungesa e aparateve teknike dhe ndihmëse/aparatet jofunksionale. Kjo për shkak se vëzhguesi i ndeshjes ka konstatuar se nuk ka funksionuar LED për 24-sekonda!

Visar Ejupi @ Rahoveci

Ndërkaq Vëllaznimi është gjobitur me 400 euro në këtë përballje për mosrespektimin e Nenit 11.6.1.

“KB Vëllaznimi dënohet me 400 Euro konform nenit 11.6.1 të PG,” — është dënimi që ka marrë ekipi gjakovar.

Ky Nen kërkon që në stinorin 2022/23 secili ekip të ketë në përbërje së paku dy lojtarë të lindur në vitin 2003 ose më të rinj. Në rastin e parë të mosrespektimit të këtij Neni dënimi është 400 euro, ndërsa nëse përsëritet dënimi shkon në 800 euro.

Gjobat nga ndeshja Prishtina-Ylli

Pa dënime nuk kanë kaluar fundjavën as Prishtina e Ylli. Kampioni i shumëfishtë i Kosovës ka marrë dënim prej 350 eurove në total, ndërsa kampioni aktual 100 euro.

Jan Palokaj @ Prishtina

Prishtinës i është shqiptuar dënim prej 150 eurove për shkak të hedhjes së gjësendeve të buta në fushë, që nuk mund të shkaktojnë lëndime si dhe 200 euro për shkak të organizimit të dobët të tavolinës zyrtare, pasi që ekipi nuk ka siguruar printer për të shtypur statistikat e lojës.

Gjoba e Yllit prej 100 eurove është për shkak të mosrespektimit të kodit të veshjes nga zyrtarët e klubit në bankë!

Kështu në total KG i FBK-së ka shqiptuar dënime në shumën prej 3 mijë e 150 eurove.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga