Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUPERKUPA: PRIZRENI - BASHKIMI

Bashkimi fiton derbin lokal, arrin finalen e Superkupës

Foto: KBBashkimi/ A. Qeriqi/ fb

Bashkimi fiton derbin lokal, arrin finalen e Superkupës


23 October, 2020 @21:54

Derbi lokal prizrenas në gjysmëfinalen e Superkupës së Kosovës dha emocione të jashtëzakonshme.

Pas epërsisë së lehtë që mbante Bashkimi në pjesën më të madhe të lojës, Ponte Prizreni ka arritur të rikthehet në çerekun e fundit dhe me pikët e Ty Nichols barazoi rezultatin në 67-67 për të marrë epërsinë me treshen e Arti Hajdarit dhe zgjeruar atë me ngulitjen e Urim Zenelajt në 72-67.

Por më pas treshja e Qëndrim Birajt, treshja e Sean Hoehnit dhe ajo e Nikola Vukcevicit riktheu epërsinë për Bashkimin në 74-76.

E kur ndeshja shkonte barabartë, ka qenë një faul-kosh i Musab Malës, që shënoi edhe gjuajtjen e lirë për të bërë rezultatin 76-81 në të mirë të Bashkimit.

Nga ky moment, përkundër tentimeve Ponte Prizreni nuk arriti të rikthehet në rezultat dhe kështu Bashkimi siguroi finalen e Superkupës së Kosovës duke e fituar rivalin lokal në një ndeshje të nxehtë në 13 qershori të Suharekës për fitoren 82-87.

Kështu, Bashkimi ka siguruar finalen e Superkupës së Kosovës ndaj rivalit të vjetër Sigal Prishtina, të cilët do të përballen mes vete për të marrë trofeun e parë të edicionit të ri të garave në Karagaç të Pejës, këtë të diel.

Nikola Vukcevic, Musab Mala dhe Sean Hoehn nuk janë pushuar asnjë minutë në ndeshje nga trajneri Illmen Bajra, derisa këta tre bashkë me Shaq Carterin kryen ndeshjen me pikë dyshifrore për t’ia dhënë finalen Bashkimit.

Vukcevic shënoi 24 pikë + 5 asistime, ndërsa Carter dha 19 pikë e 8 kërcime në fitore. Mala kreu ndeshjen me 15 pikë, 4 asistime e 5 kërcime, kurse Hoehn me 18 pikë.

Te Ponte Prizreni Josh Martin kreu ndeshjen me double-double prej 11 pikëve dhe 19 kërcimeve, ndërsa më efikasi ishte Ty Nichols, që s’pushoi për asnjë minutë sonte dha 23 pikë, 6 asistime e 6 kërcime në përballje, që s’mjaftoi për fitore.

Me pikë dyshifrore te ekipi i Arbnor Rifatit ndeshjen e kryen edhe Arti Hajdari 16, Justin Jones 15 dhe Urim Zenelaj 12.

Finalja e madhe e Superkupës, të dielën në Karagaç, Sigal Prishtina - Bashkimi.

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga