Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

"SEZAI SURROI"

Bashkimi ndahet me trajnerin Darko Radulovic

Bashkimi ndahet me trajnerin Darko Radulovic


18 October, 2022 @23:09

Nuk ka zgjatur shumë aventura e Darko Radulovicit në fillim të stinorit 2022/23 të Superligës me Bashkimin. Ende pa u plotësuar një cikël ndeshjesh, ekipi ka ndarë rrugët me trajnerin nga Maqedonia Veriore.

Në një njoftim të lëshuar sonte, KB Bashkimi ka bërë të ditur se me marrëveshje ka ndarë rrugët me Radulovicin, që kishte ardhur në ekip në fund të stinorit të kaluar për t’i çuar drejt PlayOffit.

“Sot me marrëveshje të dy anëshme kemi ndarë rrugët me trenerin Darko Radulovic, të cilin e falenderojmë për angazhimin dhe seriozitetin e treguar si dhe i urojmë shëndet e sukses në të ardhmen!” - ka shkruar KB Bashkimi në njoftimin e ndarjes me trajnerin në fjalë.

Fillimi i stinorit dhe gjashtë ndeshjet e para në Superligë e zunë Bashkimin me bilanc 2-4, me fitore ndaj Rahovecit dhe Vëllaznimit, ndërsa humbje me të gjitha ekipet tjera, pos me Yllin me të cilin ndeshet në xhiron që vjen.

Tash e tutje ekipin do ta drejtojnë ndihmës-trajnerët e deritashëm të skuadrës, Edin Kërveshi, Edon Godeni dhe Elbesar Gështenja! Një vendim i tillë i Bashkimit ka ardhur pas humbjes nga Peja, ku portokallezinjtë u mposhtën nga lideri aktual i Superligës, 67-72.

“Në ndërkohë, ekipin do ta udhëheqin Edin Kërveshi, Edon Godeni dhe Elbesar Gështenja!” - ka bërë të ditur KB Bashkimi, duke lënë hapësirë për emërimin e një trajneri tjetër në vazhdim.

Kujtojmë, sipas PG-së së këtij stinori në Superligë, emërimi i trajnerit të parë të huaj këtë stinor kushton 500 euro për skuadrat, ndërsa emërimi i trajnerit të dytë të huaj në ekip do të duhet të pagohet 2 mijë euro për regjistrimin e tij në adresë të FBK-së. E Bashkimi pasi që veçse e ka pasur trajnerin Radulovic nga stinori i kaluar, nuk e ka harxhuar “xhokerin” për trajnerin e parë të emëruar këtë stinor!

Radulovic bëhet kryetrajneri i dytë i larguar këtë stinor në Superligë, pasi që javë më parë Vëllaznimi ndau rrugët me kroatin Franko Sterle.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga