NGA KONFERENCA
Bernard Challandes: Duhet të luajmë lojë të çmendur
6 September, 2019 @15:11
Emocional dhe i qartë në përgjigjet e tij, si zakonisht Bernard Challandes, në konferencën e sotme për shtyp ka bërë të ditur se Kosova do të duhet të luajë një lojë të çmendur për të arritur maksimumin ndaj Çekisë.
Çekët janë favorit para përballjes ndaj Kosovës, por ecuria e mirë e Kosovës deri tash, ka bërë që kosovarët të ëndërrojnë për kualifikim në EURO 2020.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJES
“E theksoj, e kemi një ëndërr, nuk kemi qëllim, por një ëndërr,” ka qenë decidiv Challandes në përgjigjen e tij.
Ai ka vlerësuar mjaft reprezentacionin çek, duke bërë të ditur rezultatet e arritura deri tash në grup dhe natyrisht, pas Anglisë, llogariten si ekip më i mirë i grupit.
“Ata janë shumë cilësor. Në krahasim me Bullgarinë dhe Malin e Zi, mund të them se ata kanë shënuar fitore 3-0 ndaj Malit të Zi, ndërsa përkundër se e fituan Bullgarinë me një gol dallim, kanë pasur një mori rastesh për të thelluar rezultatin. Me 4-5 lojtarë mbi 190 centimetra dhe me kombinimin mes përvojës dhe talentit, do të mundohen të na shkaktojnë mjaft telashe,” ka bërë të ditur strategu zviceran i Kosovës.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJES
Disa herë ka vënë në theks lojën e çmendur që duhet aplikuar Kosova nesër. E për këtë iu kërkua përgjigja, çka nënkupton me lojë të çmendur.
“Luftë për çdo top, në secilën pjesë të fushës. Vrapo andej, vrapo këndej,” ka thënë ai duke ngritur zërin emocionalisht para gazetarëve, “Mos e humb topin, paso, lufto për shokun, merr përkrahje maksimale nga publiku, duhet të shfrytëzojmë rastin sepse luajmë në Prishtinë, para tifozëve tanë, që gjithashtu duhet të na përkrahin maksimalisht në çdo sekond për të arritur fitoren. Duhet të bëjmë lojë të jashtëzakonshme, lojë të paparë më parë, për të arritur kryesoren dhe po, nësë do të kërkojmë vazhdimin e ëndrrës sonë, atëherë duhet të fitojmë nesër,” ka qenë i vendosur në përgjigjen e tij Challandes.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJES