Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUPERKUPA

Boshnjaku: Na pret ndeshje e vështirë, synojmë fitoren

Boshnjaku: Na pret ndeshje e vështirë, synojmë fitoren


22 January, 2021 @16:57

Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, e ka folur për faqen e klubit bardhekaltër para ndeshjes së Superkupës së Kosovës kundër Dritës që do të luhet nesër në Antalya të Turqisë.

Mesfushori i prishtinasve fillimisht tha se ekipi po stërvitet me intensitet të lartë për të arritur deri tek sukseset, derisa shpreson që përbërja e lojtarëve të jetë e kompletuar pa pasur telashe me lëndime.

”Është dita e katërt e përgatitjeve. Përgatitjet po ecin mjaft mirë. Kemi bërë disa stërvitje me intensitet shumë të lartë. Shpresoj të vazhdojmë deri në fund kështu dhe të arrijmë të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet që i kemi në Kosovë. Pikë së pari shpresojmë të mos kemi ndonjë lëndim për arsye se na nevojiten të gjithë lojtarët që janë, e po ashtu edhe ata që nuk janë si Mankenda dhe John, të cilët shpresoj të na bashkëngjiten dhe të jenë të përgatitur për ndeshjet që i kemi. Këtu shpresojmë të përgatitemi sa më mirë dhe të bëjmë ndeshje sa më të mira kur të kthehemi në Kosovë,” tha Boshnjaku.

Më tej, 24 vjeçari u ndalë në veçanti edhe për ndeshjen e Superkupës, për të cilën tha se do të synojnë fitore sikurse në çdo ndeshje.

“Sa i përket ndeshjes me Dritën, e dijmë se e kemi një orar të ngjeshur me 3 ndeshje për një kohë shumë të shkurtër, ku e para është kjo e Superkupës. Normalisht do të tentojmë ta fitojmë, edhe pse kemi zhvilluar vetëm një miqësore dhe se ndoshta forma jonë nuk është ajo që pritet. Jemi duke u munduar dhe duke stërvitur çdo ditë që të arrijmë më të mirën dhe normalisht në atë ndeshje hyjmë për fitore sikur në çdo ndeshje tjetër. E dijmë normalisht që na pret një ndeshje e vështirë pasi edhe Drita ka kualitet. Është mirë që do të zhvillohet këtu ndeshja pasi që do të na mundësojë që të përgatitemi shumë më mirë për ndeshjet kampionale që i kemi në Kosovë,” përfundoi ai.

Ndeshja e Superkupës, Prishtina - Drita, luhet nesër (e shtunë) nga ora 12:00 në stadiumin “Mardan” në Antalya.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga