RINOVIM KONTRATE
Canada nënshkruan edhe 1 vjet me Prizrenin
13 February, 2019 @14:24
Basketbollisti i cili erdhi si përforcim së fundi te klubi i Prizrenit, Malcolm Canada, tashmë ka fituar besimin e kryesisë së skuadrës dhe me kërkesë të trajnerit, atij i është vazhduar kontrata.
Në një njoftim të lëshuar në llogarinë e Facebookut të ekipit Ponte Prizreni është bërë e ditur që Canada ka nënshkruar edhe një vjet kontratë me skuadrën, duke shprehur kënaqësinë e tij me marrëveshjen e arritur.
Amerikani 23 vjeç aktualisht po luan me mesatare prej 18.3 pikëve, 5.7 kërcimeve dhe 5.3 asistimeve për ndeshje te ekipi bardhezi.
Prizreni në ndërkohë bashkë me Bashkimin dhe Trepçën po luftojnë për një pozitë më të mirë për PlayOff të Superligës, pasi që të trija skuadrat kanë bilanc të njëjtë, 8-10.
Kujtojmë, Prizreni është debutues i Superligës këtë stinor, ndërsa ekipi gjithashtu do të luajë edhe në Final 8 të Kupës së Kosovës.