Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ATLETICO MADRID 0-0 MANCHESTER CITY

City duroi presionin, për të siguruar gj’finalen ndaj Realit

City duroi presionin, për të siguruar gj’finalen ndaj Realit


13 April, 2022 @23:33

Atletico Madrid nuk ka arritur të shënojë përkundër gjithë presionit që i shkaktoi Manchester Cityt, jo vetëm me lojë.

Futbollistët e drejtuar nga Diego Simeone provuan gjithçka, veçanërisht në 20-minutëshin e fundit të ndeshjes për të shënuar atë gol, që do t’ua siguronte së paku vazhdimet atyre - por nuk ia dolën.

E ekipi i Josep Guardiolës ka qenë i qetë dhe deri në fund ka duruar edhe goditjet, startet e ashpra por edhe grindjet në fushë për të dalë në fund me rezultat 0-0, për të siguruar gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve për vitin e dytë me radhë.

Dueli i parë i zhvilluar në Manchester, kishte përfunduar 1-0 në të mirë të Cityt, që mjaftoi për sigurimin e katërshes më të mirë të garës.

Në fund, pamje aspak të hijshme nga lojtarët e Atletico Madridit, derisa Felipe u ndëshkua me karton të kuq (i dyti i verdhë) pas startit në Phil Foden, ndërsa Stevan Savic mori të verdhë për grindje dhe shtyerje të Fodenit.

Tre raste të mira për shënim i kishte Atletico në fund, por mbrojtja e Cityt me Edersonin në portë, qëndroi e palëkundur me veprimet për të siguruar gjysmëfinalen.

Manchester City në gjysmëfinale do të ndeshet me rekord-kampionin e garës, Real Madrid. Dueli i parë do të zhvillohet më 27 prill në Etihad, ndërsa ai i kthimit më 4 maj në Santiago Bernabeu.


 
Të gjitha lajmet nga Champions League