PRIZRENI - BASHKIMI
Derbi lokal u vendos pas vazhdimeve
4 December, 2019 @21:36
Në derbin lokal në mes të Prizrenit dhe Bashkimit, fitues doli pas vazhdimeve skuadra e Bashkimit, duke e mposhtur kundërshtarin me rezultat 81-86.
Bashkimi ia nisi ndeshjes si rrufe me një seri prej 0-11, derisa këndellja e Prizrenit nuk u vonua.
Në çerekun e dytë së pari e ngushtuan rezultatin e më pas kaluan në epërsi, megjithatë pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë 37-37.
Prizreni në 10 minutëshin e tretë përsëri e mori epërsinë (61-54), kurse fundi i ndeshjes ishte dramatik.
Bashkimi ishte dy pikë në epërsi në 17 sekondat e fundit. Lojtari amerik i Prizreni Malcolm Canada u faulua dhe ishta i saktë dy herë nga gjuajtja e lirë për ta barazuar rezultatin.
E në vazhdime fitoren më shumë e kërkuan djelmoshat e trajnerit Illmen Bajra dhe kështu për herë të dytë në këtë sezon, Bashkimi e mposhti Prizrenin.
Terik Bridgeman i cili mungoi në ndeshjen kundër Rahovecit për shkak të lëndimit, në këtë ndeshje luajti dhe ishte më i miri në parket. Ai shënoi 23 pikë e 12 kërcime, derisa u ndihmua edhe nga Corey Ross me 21 pikë, 9 asistime e 7 kërcime, Stivie Clark me 17 pikë dhe Ujkan Karanezi me 14 pikë të tjera.
Te Prizreni shkëlqyen Urim Zenelaj me 25 pikë e 24 kërcime dhe Malcolm Canada me 25 pikë e 10 kërcime, por nuk mjaftuan performancat e tyre për fitore.
Bashkimi e regjistroi fitoren e 10 të stinorit krahas 3 humbjeve që i ka dhe gjendet në pozitën e dytë, kurse Prizreni ka bilanc prej 8 fitoreve e 6 humbjeve.
Në xhiron tjetër Bashkimi takohet me Pejën, kurse Prizreni me Yllin.