Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINALJA: LIVERPOOL - REAL MADRID

E 14-ta në histori, Real Madridi përsëri kampion i Evropës!

E 14-ta në histori, Real Madridi përsëri kampion i Evropës!


28 May, 2022 @23:51

Lojtari më i mirë i finales, Thibaut Courtois! Triumfues, Real Madrid! Për të katërmbëdhjetën herë në histori të garës, zgjerim rekordi ndaj të tjerëve, ku përcjellësit e parë kanë nga shtatë të tilla.

Liga/Kupa e Kampionëve është Real Madrid!

Liverpool ka qenë briliant gjatë ndeshjes, por nuk e gjetën në asnjë mënyrë atë që duhet për të fituar finalen - golin.

Mohamed Salah ka parë rastet e tij, tepër të mira - të gjitha të mbrojtura maestralisht nga belgu në portë të madrilënve (15’, 17’, 64’, 69’, 80’, 82’).

Sadio Mane, gjithashtu ka pasur rastin e mirë në fillim të ndeshjes, por kot - aty ka qenë Courtois - njeriu i finales - që i solli Carlo Ancelottit triumfin e katërt në karrierë të Ligës së Kampionëve (rekord për një trajner).

E Real Madrid, që kaloi një rrugëtim tejet të vështirë për të arritur finalen, ndoshta jo sonte, por gjithesesi me rrugëtimin që bëri - e meritoi të stolisej, pas rikthimeve ndaj PSG-së, Manchester Cityt e Chelseat - duke ditur formën dhe emrat që i kanë këto skuadra në ekip.

Karim Benzema shënoi një gol nga një aksion në pjesë të parë, që e anuloi VAR-i, pasi që kishte ndodhur një karambol mes mbrojtësve të Liverpoolit dhe portierit Alisson.

Më pas nuk kishte shumë raste, derisa Luka Modric një top që dukej si i humbur në mesfushë e aktivizoi për të gjetur pas dy pasimeve Fede Valverden i cili në pas-shutin e tij, gjeti Viniciusin (59’) që shënoi për 0-1, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Madrilenët kah fundi, kur Liverpool ishte vënë me të gjitha forcat në sulm, pati dy kundësulme shumë të mira, të cilat nuk gjetën golin.

E përqafimi që i bënë lojtarët e mbrojtjes në mundësinë e fundit të Salahut për të shënuar, Courtoist, tregoi gjithçka. Portieri numër një i Belgjikës tashmë ishte heroi i ndeshjes, ndërsa mbretërit nisën festën në Stade de France të Parisit, në përballjen më të madhe të vitit sa i përket ekipeve, ndeshje e cila filloi me 35 minuta vonesë për shkak të një problemi në organizim, ku një pjesë e tifozëve të Liverpoolit nuk kishin arritur të hynin në stadium.

Për Liverpoolin kjo është finalja e dytë e humbur ndaj Realit në 4 vitet e fundit, pas asaj të vitit 2018.


 
Të gjitha lajmet nga Champions League