Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRISHTINË

Ekrem Memnun largohet nga Prishtina

Ekrem Memnun largohet nga Prishtina


14 September, 2022 @11:00

Trajneri turk i Prishtinës, Ekrem Memnun, është larguar nga ekipi pas vetëm një xhiroje të zhvilluar në Superligë. Prishtina u mposht nga Peja në xhiron e parë të stinorit.

Por, arsyeja e largimit të Memnunit është familjare, ndërsa ekipi ka bërë të ditur se përkrah vendimin e trajnerit dhe ka pranuar ndarjen e parakohshme.

“Memnun iu bashkangjit projektit të klubit në gusht të këtij viti me ftesë  për të përkrahur miqtë e tij në Prishtinë, mirëpo për arsye personale iu desh të largohej nga klubi. Ne, KB Sigal Prishtina duke qenë të njoftuar për arsyen e largimit e përkrahim vendimin e tij dhe i urojmë gjitha të mirat në jetën profesionale dhe personale,” ka shkruar ndër të tjera Prishtina në njoftim.

Prishtina këtë stinor pos garave vendore do të paraqitet edhe në duele të FIBA Europe Cup, e varësisht nga rezultati aty, do të mund të jetë edhe pjesë e një lige të re të krijuar, ENBL.

Memnun u mposht nga bashkëkombasi i tij në xhiron e parë të Superligës, Can Sevim. Ndërsa Prishtina ka bërë të ditur se deri në vendimin e radhës të ekipit për trajner, skuadrën në ndeshjet tjera do ta drejtojnë dyshja Bilge - Rashica.

“Ekremi erdhi si mik i klubit dhe po largohet si nje mik i madh i klubit. Deri në vendimin e radhës, ekipi do të drejtohet nga Bilge dhe Rashica,” ka bërë të ditur KB Prishtina.

Në xhiron e radhës Prishtina i shkon në konak kampionit aktual të Kosovës, Ylli. Këta të fundit gjithashtu humbën ndeshjen e parë të stinorit, ndërsa të hënën i është kthyer trajneri Adis Beciragic, që ka qenë në detyrë me reprezentacionin e Bosnjës në Eurobasket 2022.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga