Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

OPINION

Faleminderit Mërgim!

Foto: jfv/ Arkiv

Faleminderit Mërgim!


Shkruan: Petrit Osmani (Shkrimi është personal dhe nuk paraqet domosdoshmërisht opinionin e Tifozave Kuq e Zi)

24 August, 2020 @23:31

Historitë e refuzimeve për të luajtur me Shqipërinë, kanë qenë cikël i përsëritur gjatë 20 viteve të fundit.

Disa e kanë kaluar në heshtje e disave u është bërë më e madhe sesa ç’duhej vendimi për mos përfaqësim të fanellës kuq e zi.

Kombëtarja Shqiptare e futbollit ka qenë zgjidhje e dytë e në disa raste edhe e tretë ose s’ka qenë zgjidhje fare, për disa prej futbollistëve me origjinë shqiptare. Si pjesë e Tifozave Kuq e Zi në disa raste personalisht kemi negociuar, propaganduar afrimet e reja të lojtarëve në ekipin kuq e zi.

Në shumë raste jemi zhgënjyer nga vendimet e marra, në disa sosh jemi gëzuar që jemi bërë “sebep” i paraqitjeve të tyrë në Kombëtare.

Por, ka pasur edhe historira të tilla sikur i ish kapitenit tashmë, Mërgim Mavraj që paralajmëroi tërheqjen nga ekipi kombëtar i futbollit. Tratativat për afrimin e tij kishin nisur qysh prej vitit 2007 kur ish trajneri Oto Bariç e kishte ftuar mbrojtësin me origjinë nga Istogu, por që dëshira e tij ishte të përfaqësonte Gjermaninë, për të cilin kishte patur 2 paraqitje me ekipin U21.

Pak vite më vonë, një bashkëkombas i Bariçit, tashmë i ndjeri Josip Kuzhe do ta ftonte në mars të vitit 2010, por një telefonatë nga Matthias Sammer kishte prishur planet e trajnerit kroat.

Mavraj do të përgjigjej se ka marrë premtimin nga Sammer se do të përfshihet në planet e pancerëve dhe se me pas do të mund të shqyrtonte afrimin me Shqipërinë.

Kjo kërkesë e Mavrajt nuk u prit aspak mirë nga Kuzhe i cili i’a mbylli dyert futbollistit të Bohumit. Pak ditë më vonë tifozët shqiptarë hapën edhe një banderolë kundër tij “Mavraj prostituta”, duke e shfryrë mllefin ndaj vendimit të tij dhe driblimeve që kishte bërë deri atëherë.

Nuk shkuan shumë kohë, dhe “I keqi Mavraj”, pendohet.

Ai kërkon një ftesë nga Federata e cila përmes sekretarit Prodani atëbotë do përgjigjej “Ardhja ose jo e tij, nuk është në dorën tonë, nuk e do Kuzhe”.

Do kalonin edhe dy vite, përkatësisht kur ekipin do ta merrte trajneri italian Gianni De Biasi i cili do ta ftonte nga skuadra e Këlnit “të padëshiruarin” Mavraj.

Ardhja e tij i dha stabilitet mbrojtjes së Kombëtares.

Me një ftohtësi vrasëse, dhe si një luftëtar i heshtur, paraqitjet e tij po na lumturonin të gjithëve. Në një takim privat me ish trajnerin De Biasi kur e pyeta për ekipin dhe lojtarët në veçanti ai do të shprehej se nuk do ta harronte kurrë që gjatë eliminatoreve Mavraj kishte luajtur me brinjë të thyer. Të tillë lojtarë më karakter vështirë se i gjën shprehej italiani që i priu ekipit shqiptar drejt kualifikimit historik.

Marrë në përgjithësi luhatjet dhe kërkesat e dëshirat, refuzimet e hezitimet që ka patur Mavraj, dhe Mavrajt e tjerë që tashmë janë në ekipin tonë, ose edhe janë larguar, në 50 ndeshje të luajtura dhe me 3 gola të shënuara, si tifoz besnik i Kombëtares i them Faleminderit për kontributin tuaj në këto 8 vite sa ke veshur fanellën kuq e zi.

Raste të tilla ka pasur e do të ketë në të ardhmen (shpresojmë të ketë më pak), por ajo që është më e rëndësishme është fanella e djersitur dhe impenjimi gjatë gjithë asaj kohe.



i:

Opinionet, nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë

 
Të gjitha lajmet nga