Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOMUNIKATA E FFK-së

FFK kërkon që të mos dëmtohet Drita

FFK kërkon që të mos dëmtohet Drita


11 August, 2020 @17:56

Pas anulimit të ndeshjes Drita - Linfield, ka reaguar edhe FFK-ja, që ka lëshuar një komunikatë duke bërë të ditur rastin dhe duke kërkuar që UEFA të gjej termin tjetër dhe të mos dëmtojë ekipin e Dritës.

FFK edhe pse ka bërë të ditur qartë se protokolli dhe rregulloret e UEFA-së në raste me COVID-19 thonë: të infektuarit izolohen dhe të tjerët vazhdojnë garën, i është lutur UEFA-së në komunikatën e lëshuar që të mos veprojë ashtu.

“Ndërkohë, FFK shpreson dhe beson që do të respektohet protokolli dhe rregulloret e UEFA-s në rastin e Covid 19, ku të infektuarit izolohen dhe të tjerët e vazhdojnë garën. Me këtë rast lusim UEFA-n dhe kërkojmë mirëkuptim që të mundësojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje në ndonjë termin tjetër dhe vend tjetër me qëllim që mos të dëmtohet ekipi ynë,” ka thënë FFK-ja në njoftimin e saj.

Në rregulloren e UEFA-s theksohet se nëse shteti nikoqir liron të paktën 13 futbollistë nga karantina, ndeshja mund të zhvillohet, në të kundërtën, takimi mbyllet me rezultat zyrtar 3:0. Afati i fundit për zhvillimin e kësaj ndeshjeje është 14 gushti.

NJOFTIMI I PLOTË I FFK-së:

Ndeshja finale e parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ndërmjet kampionit të Kosovës, Dritës dhe kampionit të Irlandës së Veriut, Linfield, e paraparë për t’u zhvilluar sot në Nion në orën 18:00 është pezulluar.

Ky vendim është marrë pasi autoritetet shëndetësore të Zvicrës në bashkëpunim me UEFA-n kanë vendosur për karantimin e KF ‘Drita’, pasi një tjetër lojtar i kampionëve kosovarë ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.

Lojtari i cili rezultoi pozitiv, më parë kishte dalë negativ në testin e bërë më 7 gusht. Në njoftimin e UEFA-s tutje thuhet se i gjithë ekipi i KF ‘Drita’ ishte testuar negativ para ardhjes së tyre në Zvicër, mirëpo të premten një lojtar nga KF ‘Drita’ doli pozitiv në prag të ndeshjes kundër Inter Club d’Escaldes. Në përputhje me protokollin e UEFA-s ky lojtar u fut në karantinë, së bashku me një shok të skuadrës që kishte kontakt të ngushtë. Lojtari i dytë që rezultoi pozitiv kishte kontakt edhe me anëtarët e tjerë të delegacionit gjatë ditëve të fundit dhe kjo ka bërë që autoritetet zvicerane ta vendosin tërë skuadrën kosovare në karantinë.

Për këtë arsye ndeshja nuk mund të zhvillohet, thuhet në njoftimin e UEFA-s. Tani kjo çështje do t’i paraqitet Organit të Kontrollit dhe Disiplinës të UEFA-s, për një vendim në përputhje me shtojcën I të rregullores së Ligës së Kampionëve 2020/21 të UEFA-s, që është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s javën e kaluar.

Ndërkohë, FFK shpreson dhe beson që do të respektohet protokolli dhe rregulloret e UEFA-s në rastin e Covid 19, ku të infektuarit izolohen dhe të tjerët e vazhdojnë garën. Me këtë rast lusim UEFA-n dhe kërkojmë mirëkuptim që të mundësojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje në ndonjë termin tjetër dhe vend tjetër me qëllim që mos të dëmtohet ekipi ynë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga