E FUNDIT
FFK shtyen ndeshjet e fundjavës
6 November, 2020 @20:41
Në të gjitha ligat e futbollit e Kosovës, FFK ka shtyer ndeshjet e fundjavës për në mesjavë së paku, ka bërë të ditur njoftimi i fundit i FFK-së.
Për shkak të situatës së përkeqësuar me COVID-19 në vend, FFK ka marrë këtë vendim, edhe pse Qeveria në vendimin e saj nuk ka ndaluar ndeshjet e futbollit.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin dhe klubet anëtare të saj se të gjitha ndeshjet e parapara për t’u zhvilluar këtë fundjavë janë shtyrë për mesjavë. Në fakt, me vendimin e ri të Qeverisë aktivitetet e futbollit nuk janë ndërprerë, por FFK e ka vlerësuar si të nevojshme shtyrjen e ndeshjeve të kësaj fundjave, duke pasur parasysh karantimin e 7 qyteteve për fundjavë si masë për menaxhimin më të mirë të situatës me Covid-19 dhe me qëllim të lehtësimit të gjërave për klubet dhe zyrtarët e ndeshjeve, të cilët do të mund të hasnin në pengesa gjatë udhëtimit të tyre për ndeshje në qytetet e karantinuara. Kësisoj, garat do të vazhdojnë në mesjavën e ardhshme për çka klubet do të njoftohen me kohë nga komisionet përkatëse për orarin e ri të ndeshjeve,” ka shkruar njoftimi i FFK-së pak më parë.
FFK-ja ka qenë e fundit që ka bërë të ditur këtë njoftim, derisa skuadrat e ndryshme tashmë kanë bërë të ditura për shtyerjen e ndeshjeve të fundjavës, orë më parë.