Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EUROPA LEAGUE FINAL

Fitore bindëse, Chelsea fitues i Europa League!

Fitore bindëse, Chelsea fitues i Europa League!


29 May, 2019 @22:50

Në finalen e sontme të Europa Leagues, finale angleze me vetëm një lojtar anglez startues nga gjithsej 22 startuesit, triumfuese doli skuadra e Chelseat, e cila me fitore 4-1 arriti që ta fitojë trofeun e saj të dytë të Europa Leagues.

Ndeshjen më mirë e filloi Arsenali, e cila e kontrolloi shumicën e pjesës së parë, derisa Chelsea ‘shenja jete’ shfaqi kah fundi i pjesëlojës së parë, duke rrezikuar fillimisht me një goditje qendrore të anësorit Emerson, e më pas përmes francezit Giroud, goditja e rrezikshme e të cilit u prit nga portieri Cech.

Në anën tjetër, rastin më të mirë për Arsenalin në pjesën e parë e pati Granit Xhaka, i cili rrezikoi me një goditje fantastike me të djathtën nga distanca, mirëpo për fat të keq të tij, topi e preku paksa shtyllën horizontale të portës së Chelsea e më pas përfundoi mbi portë.

E golat siç duket ishin ruajtur për pjesën e dytë.

Në 20 minutat e parë të pjesës së dytë, skuadra e drejtuar nga italiani Sarri, për të cilin ky ishte trofeu i parë në karrierë, ‘shpërtheu’, duke shënuar plot 3 herë (Giroud 49’, Pedro 60’, Hazard (P) 65’), për të krijuar epërsi tri-golëshe, e më pas Iwobi (69’) e ngushtoi rezultatin në 3-1, para se belgu Hazard, ndoshta në lojën e tij të fundit me Chelsean, të shënonte për vulosjen e fitores dhe rezultatin përfundimtar, 4-1 në minutën e 72’.

Me golin e shënuar sonte, Olivier Giroud e mbyll këtë sezon të Europa Leagues si golashënuesi më i mirë me 11 gola, një më shumë se Jovic i Frankfurtit.

Sa i përket ‘shqipeve’ të Arsenalit, Granit Xhaka sonte ishte startues për Arsenalin dhe luajti përgjatë gjithë ndeshjes, kurse Shkodran Mustafi gjithë ndeshjen e kaloi në bankën rezevë.

Triumfi i sontëm i Chelseat bën që nga Premier Liga në Champions Ligë sezonin tjetër të shkojnë vetëm katër skuadra, derisa Arsenali edhe sezonin tjetër do të jetë në Europa League, ku Emery do të ketë një tjetër mundësi për ta fituar titullin e katërt të kësaj gare si trajner, gjë që iu mohua sonte.

 


 
Të gjitha lajmet nga Europa League