Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVË - ÇEKI

Fitorja, pensionimi i parakohshëm e politika

Fitorja, pensionimi i parakohshëm e politika


Shkruan: Luan MORINA

7 September, 2019 @19:01

Fitore e dobët.

15 lojë pa humbje, dhe me gjasë ka ardhur fundi i kësaj. Anglia është shumë e fortë. Dhe Anglia nuk falë.

Çekët falën raste të shumta, e hiç më keq nuk ua kthyem as ne. Muriqi shënoi një gol të rëndësishëm, por rrezikoi të marrë edhe karton të kuq direkt me përdorimin e bërrylave, mohoi një rast të mirë kundërsulmi duke mbajtur topin më shumë se që duhej, për të prishur aksionin në fund, e edhe tek korneri humbi së paku gjysmë minute vitale në vonimin e lojës duke larguar topin në fundore. Sigurisht që lodhja ka bërë të veten, dhe të gjitha ata topa të ulur e hapje të krahëve nuk mund ta mohojnë njërën ndër paraqitjet individuale më të mira në fushë. Por, është mirë që të jemi më të pafalshëm.

EURO 2020 - KUALIFIKIMET

Krahu i majtë ishte jashtë nivelit që jemi mësuar të shohim. Si Hadërgjonaj si Rashani ishin larg Kololli-Zenelit/Rashica. Këto tri mungesa u vërejtën sidomos në mesfushë. Idrizi bashkë me Mërgimin e Bersantin kanë pasur verën më të mirë nga të gjithë lojtarët që u angazhuan sot. Por, nuk po arrin të zëvendësojë akoma siç duhet Hekuranin e lënduar. Besari është shumë më i mirë në pozitën ku luajti Valoni sot. Që të dy këta, po kanë paraqitje të mirë, ndonëse mosangazhimi në ekipe është një brengë. Mërgimi e Bersanti ishin të shkëlqyeshëm, e qendërmbrojtësit planetë tjetër. Fantastik dhe duke pasur parasysh vendin që kanë në ekipet e tyre, vetëm ditë edhe më të mira mund të presim nga Aliti e Rrahmani. Edhe Muriç pati ato daljet e panevojshme. Rrezikoi dy pikë, por njëjtë si Muriqi, pati të bëmat vitale drejt këtyre tri pikëve. Besoj që do të përmirësohet shumë shpejt edhe një daljet e tija.

Në përgjithësi, mosdorëzimi dhe vazhdimi i luftës – gjë që ka ndodhur në shumë ndeshje deri tani – tregon për pjekurinë e këtij ekipi. Morali nuk bie asnjëherë, dhe kjo është arma më e madhe që kemi si ekip. Duhet ta ruajmë me çdo mundësi.

Pension i parakohshëm

Dikush që s’duket se do të përmirësohet është Edon Zhegrova. Pas lëndimit të Arbërit, tani edhe me lëndimin e Milotit, ai ka mundësinë e artë të dëshmojë talentin e tij. Nuk po e bën, ashiqare edhe tek ekipi i tij. Kontrata aktuale, njëjtë si huazimi tek Basel skadon dikur, dhe do të hasë në probleme që të gjejë angazhim në sportin e bukur. Para se të përfundojë në këngë me ‘yje’ si Blero e Vali Corleone, është mirë të kërkojë ndihmë në përgatitjen psikologjike, dhe të shfrytëzojë këtë kohë të artë. Mund të jetë vonë dikur, nëse nuk kontribuon në përgatitjen psikike. E deri atëherë është mirë të gjejë më shumë minuta tek ekipet e tija se sa tek Kosova. Është mirë të pensionohet përkohësisht, e të fitojë vendin me paraqitje në fushë, jo nëpër video shoubizi

Babadimri

E për maestron, shkëlqesinë e tij s’do të duhej të shtoj asgjë. Vetëm të shohim ndërrimet dhe efektin e tyre në lojë.

Për dallim prej Edonit, Challandes nuk lejoi më shumë se pesë minuta dominimin e Çekisë në fillim të pjesës së dytë. Futi Valonin për të bërë presion më të lartë dhe ndihmuar Muriqin. Nuk vonoi shumë zëvendësoi (pensionoi) Edonin për Florentin i cili për paraqitjen e tij të parë ishte i jashtëzakonshëm në pozitën e tij. Dhe në fund, futi Rashkajn për Halimin e larguar për të larguar presionin çek. Ishim me fat, por me ato që i pati në duart e tij, ai bëri mrekulli, sikur çdo herë.

Politika

Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari, në zgjedhjet e fundit parlamentare ka marrë 129.947 vota, duke qenë kandidati i dytë më i votuar. 23 lojtarë të një ekipi futbolli janë shifër bizare për të kundërshtuar vendimet dhe përzgjedhjet e gati 130 mijë vetave.

Nuk është as FFK-ja, as ekipi i Kosovës, as vet Kadri Veseli ai që është vendosur në videon e kombëtares së Kosovës. Janë 130 mijë veta që e kanë vendosur, dhe janë po ata që mund ta heqin. Topi është në fushën e të gjithë kritikuesve më 6 tetor.

Politikë është të pozojë dikush me ekipe kombëtare, pa pasur një pozitë zyrtare shtetërore. Po të mos ishte kryeparlamentar, atëherë do të duhej ta kritikonim. Unë i shoh fajtor votuesit, ndonëse mendoj që si Kadri Veseli e si Agim Ademi meritojnë vendin sa më larg futbollit e këtij ekipi që po na bën krenar.


 
Të gjitha lajmet nga