NGA KONFERENCA
Florent Hasani: Jam i gatshëm për të mbuluar mungesat
5 September, 2019 @21:04
Njëri ndër futbollistët e Kosovës që së fundi ka dalë nga Superliga e Kosovës dhe tash po bën karrierë të suksesshme në Hungari, duke luajtur për DVTK-në, është shprehur të jetë i gatshëm për t’i ndihmuar vendit, për shkak të mungesave që ka reprezentacioni për ndeshjet më të rëndësishme të grupit.
“Mungesat janë të rëndësishme pasi bëhet fjalë për lojtarë kryesorë të skuadrës sonë, por kemi futbollistë të tjerë që presin me padurim ta tregojnë veten. Po e pres debutimin tim dhe po punoj maksimalisht. Kemi cilësi ta mposhtim Çekinë edhe pse ka një ekip të fortë dhe me përvojë. Me cilësinë dhe përkrahjen e tifozëve shpresoj të marrim tri pikë. Vendimtare do të jenë dy ndeshjet me Çekinë për fatin tonë, pasi bazuar në situatën në grup do të luftojmë për pozitën e dytë. Nëse fitojmë këtu, atëherë do ta kemi punën shumë më të lehtë”, ka thënë Florent Hasani.
Florenti 22 vjeç, që ka qenë startues në tre ndeshjet në pesë xhirot e para për Diosgyorin e tij, në stinorin e kaluar dha 7 gola për ekipin.
Njihet për shpejtësinë e tij dhe goditjet e mira nga jashtë 16-metërshi, ndërsa pas mbushjes së moshës 22 vjeçare dhe paraqitjeve për Kosovën U21, është në pritje të debutimit për Kosovën.