ÇËSHTJA JANUZAJ

BOROZANI/D.S.
FSHF-ja pranon gjithçka, vetëm ta pranojë Adnani
18 October, 2013 @21:07
Pas deklaratave të djeshme në KTV të babait të talentit kosovar, Adnan Januzaj, lidhur me pranimin ose jo të kombëtares shqiptare, ka reaguar sot edhe FSHF-ja nëpërmjet një komunikate për shtyp.
“FSHF-ja nuk dëshiron të mirret me shpjegime anësore të çështjes, sepse ato shkaktojnë dhe krijojnë keqkuptime që nuk i shërbejnë qëllimit. Ne jemi të gatshëm të pranojmë gjithçka, vetëm që i talentuari Januzaj të bëhet pjesë e kombëtares tonë dhe të kontribuoj për të ardhmen e futbollit shqiptar,” thuhet në komunikatë të Federatës shqiptare.
“FSHF-ja zyrtarisht ka deklaruar edhe se siç është vepruar me futbollistët që sot janë pjesë e kombëtares do të vijojë punën pa asnjë ndikim, mëdyshje apo hezitim që Adnan Januzaj të vishet kuqezi për të nderuar veten, familjen dhe flamurin e të parëve të tij.”
Kjo e fundit, për të ndikuar edhe më tej në emocionet e familjes dhe babait të tij, i cili siç u kuptua është njeriu kryesor që vendos për të ardhmen e Januzajt për cilën kombëtare do të luaj.
E babai, Abedini, ka qenë i frustruar me kombëtaren shqiptare për mënyrën e përafrimit dhe joprofesionalizmin e tyre dhe vetëm sa s’ka thënë që Adnani kurrë s’do të luaj për Shqipërinë. Babai Januzaj ka treguar rrugët që duhet ndjekur FSHF-ja, ndërsa u ka dhënë edhe një shans, tejet të vogël, për të biseduar për të ardhmen në kombëtare të djalit të tij.