ARENA KOMBËTARE
FSHF pret sponsorët për emër të stadiumit të ri
22 July, 2019 @16:15
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) para pak çastesh ka bërë të ditur se ka vendosur në shitje emrin e asaj që pritej të quhej Arena Kombëtare.
Mëposhtë, në njoftimin e FSHF-së, mund të shihni kushtet dhe çka tjetër kërkon FSHF-ja për të qenë pjesë e auksionit për të emërtuar stadiumin ku Shqipëria do t’i zhvillojë ndeshjet si vendas përgjatë kualifikimeve të radhës.
“Federata Shqiptare Futbollit njofton se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar. E drejta për të qënë sponsor përfshin blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe perfitime të tjera.
Çdo kompani e interesuar duhet të permbush kriteret bazë që janë:
Të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milion euro në vit;
Të jetë një kompani që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe/ose ndërkombetar;
Shitja e të drejtave të emrit do të ketë një afat minimal prej 5 vitesh dhe një çmim dysheme prej 600 mijë euro në vit.
Çdo subjekt që vlerëson se përmbush kriteret e mësipërme dhe shfaq interes për ofertën duhet të paraqes një letër për shfaqje interesi deri më datën 15 Gusht 2019.
Shfaqja e interesit do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.
Procedurat e mëtejshme të zgjedhjes së kompanisë do ju njoftohen vetëm kompanive që do të shprehin interes, në një moment të dytë.”