INTERVISTË E TRAJNERIT TË YLLIT
Gezer: “Pritjet që kisha u tejkaluan, synojmë titullin!”
29 December, 2020 @18:05
Kryetrajneri i skuadrës së Golden Eagle Yllit, Fatih Emre Gezer, është emëruar në krye të ekipit suharekas vetëm 11 ditë më parë dhe brenda kësaj periudhe ka udhëhequr skuadrën në tri ndeshje duke shënuar po aq fitore.
Trajneri i suharekasve që ka filluar me sukses aventurën e tij në Kosovës, ka dhënë një intervistë për mediet turke, ku ka treguar për shumë gjëra duke filluar që nga momenti kur e pranoi ofertën e Yllit, e deri tek pritjet e tij për ekipin dhe basketbollin kosovar në përgjithësi.
Gezer fillimisht tha se ai kishte fare pak informacione për Kosovën dhe basketbollin në këtë vend, dhe për këtë arsye ka mbledhur informacione nga kolegë dhe agjentë të ndryshëm për të kuptuar më shumë rreth nivelit të Superligës, ekipit të Yllit dhe informacione të tjera në përgjithësi, derisa për ofertën e Yllit pranoi se ishte një befasi e këndshme për të.
“Ofertën nga skuadra e mora të mërkurën dhe më pas marrëveshjen e finalizuam të premtën, vetëm pas dy dite! Ishte një periudhë e shpejtë kohore. Kolegët dhe agjentët e mi më ndihmuan në këtë aspekt duke më informuar më shumë për këtë vend. Ishte një ofertë e befasishme dhe e papritur, e cila erdhi nga një vend i papritur. Kisha dëshirë të madhe të punoj si kryetrajner në një skuadër jashtë vendit, prandaj edhe vendosa.”
Ai më pas foli edhe për nivelin e basketbollit kosovar duke i lëvduar sidomos basketbollistët vendorë.
“Në Kosovë janë 8 skuadra dhe që të gjitha kanë forcë për ta mposhtur njëra-tjetrën. Të gjitha skuadrat kanë një standard të caktuar dhe kanë numër të shumtë lojtarëve të mirë vendorë, qoftë të rinj apo me përvojë. Vendorët kanë njohuri të mira për basketbollin. Për shembull skuadra e Prishtinës me të cilën u ndeshëm ditë më parë, është e përbërë nga skeleti i vendorëve që e përfaqësojnë Kosovën.”
Ndërsa lidhur me pritjet me skuadrën e Golden Eagle Yllit, ai tha se Ylli ka ekip të mirë dhe qëllimi është titulli.
“Të gjitha skuadrat janë konkurruese. Ne kemi sponzorë të fortë. Qëllimi i tyre është të jemi në finale dhe të arrijmë deri tek titulli. Ndërsa unë edhe më shumë se ata e dëshiroj këtë gjë. Shpresojmë të arrijmë këtë qëllim, por për momentin është ende herët të flasim për këtë. Kemi lojtarë të mirë dhe të rinj. Lojtari më i vjetër vendor është vetëm 26 vjeç, ndërsa në përbërje kemi edhe lojtar 16 vjeçar që stërvitet me ekipin. Janë lojtarë me të vërtetë të mirë dhe janë në gjende të ofrojnë më të mirën e tyrë nga ajo që ua kërkoj në stërvitje. Këtu ka individë të rëndësishëm që e kuptojnë basketbollin dhe një organizim të mirë në përgjithësi. Këtu gjeta më mirë se që prisja. Pritjet janë tejkaluar.”
Trajneri Gezer para se të vijë te Ylli ka punuar në skuadra të njohura si Anadolu Efes dhe Alba Berlin në pozitën e ndihmëstrajnerit.
Ai me suharekasit në tri ndeshjet e fundit ka shënuar tri fitore duke e mposhtur Trepçën, Prishtinën dhe së fundi Vëllaznimin.
Ylli aktualisht ka bilanc me 7 fitore e 5 humbje dhe gjendet në pjesën e epërme të radhitjes tabelare.
Intervistën e plotë në gjuhën turke e gjeni në videon e mëposhtme.