KUPA E KOSOVËS: BESA - TREPÇA
Goleadë në Pejë, Besa në finale!
19 April, 2017 @16:56
Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë në Mitrovicë, Besa ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen kthyese ndaj Trepçës, për ta arritur kështu finalen e Kupës së Kosovës.
Ndeshja nuk pati shumë histori, me Besën që dominoi në çdo aspekt të fushës, ndërsa goli i epërsisë erdhi që në minutën e 3’ përmes Xhevdet Shabanit. I njëjti lojtar shënoi edhe për 2-0 në minutën e 31’ të takimit, duke dhënë sinjale të qarta që Besa e dëshiron me çdo kusht finalen.
Pak para mbylljes së pjesës së parë, për 3-0 shënoi Donart Sheqerolli, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
I njëjti lojtar shënoi edhe për 4-0 në minutën e 64’ të takimit, e më pas pjesa tjetër e ndeshjes u zhvillua veç për statistika. Golin në vazhdim e gjetën edhe Fatih Karahoda e Kastriot Rexha, që të dy me kokë, ndërsa e veçanta e takimit ishte që për Kastriot Rexhën ky gol vjen pas 8 muajve mungesë për shkak të lëndimit.
Në finale, Besa takohet me skuadrën e Llapit, që sot e eliminoi Drenicën.