Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KARAGAÇI PRITET TË JETË I ZJARRTË NESËR

KB Peja gati për Budivelnykun

KB Peja gati për Budivelnykun


3 November, 2022 @15:10

Skuadra e Pejës, që është lidere e Superligës së Kosovës me tetë fitore nga tetë ndeshje të stinorit, nesër mbrëma nis aventurën në Ligën Ballkanike, ndërsa në përballjen e parë do ta ketë kundërshtar kampionin e shumëfishtë të Ukrainës, BC Budivelnyk.

Ukrainasit nesër mbrëma [4 nëntor] në ora 20:15 do të jenë përballë atmosferës që pritet të jetë e zjarrtë në Karagaç, ndërsa verdhezinjtë vendas kanë bërë të ditur se nuk janë në këtë garë vetëm sa për pjesëmarrje.

“Të premten do të jetë nxehtë në Karagaç. Ne rikthehemi në BIBL jo vetëm për pjesëmarrje. Salla e mbushur është e nevojshme më shumë se kurrë,” ka shkruar njoftimi i KB Pejës ndër të tjera.

Sa i përket ekipit ukrainas, ata kanë nisur stinorin me fitore, duke shënuar fitore në dy përballjet e para të stinorit. Drejtohen nga trajneri Valerii Plekhanov, ndërsa në ekip kanë tre veri-amerikan që bëjnë dallimin bashkë me ukrainasit me përvojë Vyacheslav Bobrov dhe Bogdan Bliznyuk.

Te Peja pas ndeshjeve të para të stinorit lojtarët më në formë sipas mesatares së pikëve janë Rodney Purvis me 20.9 pikë për ndeshje dhe 3.1 asistime si dhe Bradley Waldow me mesatare double-double prej 11.6 pikësh për ndeshje dhe 10.3 kërcimesh.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga