Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NGA INFORMATORI NR. 20

KB Trepça dënohet me një ndeshje pa shikues

Nga festa e fundit e KB Trepçës, në fitore ndaj KB GE Yllit/ Foto: KBTrepca/instabuilt/fb

KB Trepça dënohet me një ndeshje pa shikues


1 February, 2023 @16:06

Skuadra e Trepçës, që fitoi derbin ndaj Yllit në fundjavën që e lamë pas, nuk do të mund të ketë përkrahjen e publikut në përballjen e radhës si vendas. Kjo, pasi që zyrtari i klubit mitrovicas ka tentuar të sulmojë referët pas ndeshjes, ndërsa i njëjti është futur edhe në procedurë disiplinore të FBK-së, ka bërë të ditur Informatori Nr. 20 i Superligës.

Në përballjet tjera të xhiros janë vërejtur disa parregullësi, por ato kanë qenë kryesisht të vogla dhe ekipet kanë kaluar pa dënime, hiç ato për gabimet teknike të lojtarëve dhe trajnerëve.

“KB Trepça dënohet me një ndeshje pa shikues, konform nenit 49.17 të PG-së. Inicohet procedurë disiplinore ndaj Lindrit Misini (KB Trepça),” ka shkruar në Vendimet e Informatorit Nr. 20 të Superligës.

Ndërsa në përshkrimin e raportit të ndeshjes nga zyrtarët e këtij dueli, lidhur me këtë incident është shkruar (pa ndërhyrje): Me përfundimin e ndeshjes në parket u futen persona të paautorizuar derisa në fushë ishin ende lojtarët dhe personat zyrtarë të ndeshjes. Në këtë situate Lindrit Misini anëtarë i bordit të KB Trepçës, tenton të sulmoje gjyqtarin Elldin Uglarin dhe në vazhdimësi ka ofenduar gjyqtaret e ndeshjes, në këtë situatë kanë reaguar Policia e Kosovës për largimin e treshes së gjyqtareve deri në zhveshtore. Lojtarët e KB Golden Eagle Ylli ende kane qenë prezent në këtë kohë kur ka ndodhur tentim sulmi ndaj gjyqtareve. Raporti është përpiluar në zhveshtoren e gjyqtareve pasi nuk kishte kushte për t’u përpiluar në sallë.

Kështu, sipas orarit të përcaktuar më parë në FBK, mitrovicasve do t’i bie që ndeshjen e radhës si vendas që e kanë në xhiron XXIV ndaj Rahovecit, ta luajnë pa shikues. Përndryshe, tri ndeshjet e radhës Trepça i luan si mysafir (Vëllaznimi, Prizreni, Bashkimi).


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga