Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHPRESË NË "KARAGAÇ" - ARRIN ORGANIZATOR I RI

Larry Thomas - përforcimi i ri i Pejës

Fotot: FIBA/basketball

Larry Thomas - përforcimi i ri i Pejës


8 February, 2023 @19:21

Basketbollisti amerikan, Larry Thomas, është përforcimi më i ri i KB Pejës. Playmakeri 29-vjeçar i bashkohet ekipit të verdhezinjëve pasi që ekipi shfrytëzoi momentet e fundit të afatit të lejuar kalimar, ndërsa lojtari 188-centimetra i gjatë pritet të jetë organizatori i ri i skuadrës, që në xhirot e shkuara përjetoi krizë rezultatesh në ndeshje të forta.

Thomas së fundi ka qenë pjesë e ekipit belg Mechelen, ndërsa pos ligës belge ka luajtur edhe në FIBA Europe Cup ku ka arritur mesatare prej 18.5 minutash për lojë, me 7.3 pikë për ndeshje dhe 1.8 asistime për ndeshje. Në BNXT ligën belge në 15 ndeshje Thomas ka pasur mesatare prej 10.8 minutash për lojë, duke shënuar 3.5 pikë për ndeshje dhe 1.4 asistime për ndeshje.

Larry Thomas @ Mechelen

“KB Peja ju njofton se ka nënshkruar kontratë me lojtarin amerikan, të pozitës së organizatorit, Larry Thomas. Thomas ka përvojë në Islandë, Letoni, Meksikë dhe së fundi në Belgjikë. Thomas pritet t’i bashkohet sonte ekipit në stërvitje,” ka bërë të ditur njoftimi i pejanëve.

Loja e fundit e tij për Mechelenin ka qenë më 4 shkurt 2023, ku ka qenë në parket për 14 minuta, duke dhënë 2 pikë e duke regjistruar 3 kërcime në humbje ndaj Leuvenit.

Peja në cikin e fundit të ndeshjeve të Superligës ka arritur të mposhtë Prizrenin, Vëllaznimin dhe Rahovecin, ndërsa ka humbur nga ekipet tjera të Superligës.

Javën që vjen, Peja do të jetë pjesë edhe e Final 8 të Kupës së Kosovës, ndërsa në çerekfinale ndeshen me Rahovecin. Nëse kalojnë në gjysmëfinale, do të takohen me fituesin e duelit Trepça-Vëllaznimi.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga