LIPJANI 79-116 RAHOVECI
Lideri pa telashe ndaj të fundit
23 November, 2019 @18:50
Lideri i Superligës së Kosovës në basketboll, Rahoveci, ka kaluar pa telashe përballjen e zhvilluar si mysafir ndaj Lipjanit sonte, duke hapur xhiron e XII të stinorit me fitore.
Lipjani u mposht nga Rahoveci, thellë 79-116 [12-34, 19-30, 27-28 dhe 21-24], derisa trajneri i vreshtarëve Marjan Ilievski i ka dhënë mundësi të gjithë basketbollistëve në dispozicion të paraqiten në fushë të lojës.
Shtatë lojtarë të Rahovecit shënuan pikë dyshifrore në këtë ndeshje, ndërsa më efikasi ishte Joshua McFolley me 20 të shënuara.
Pikë dyshifrore në llogaritë personale regjistruan edhe Javis Howard 18, Jure Guninja 15, Chris Bradford 15, Bardh Rexha 14, Atik Koshi 13, Leo Mekaj 10. Ky i fundit dha 11 asistime për bashkëlojtarët e tij, për të kryer ndeshjen me double-double, sikurse edhe Rexha, që regjistroi 10 kërcime.
Ndërkaq performanca monstruoze e Demarcus Stucky Jr te Lipjani prej 40 pikëve (8 treshe nga 23 tentime), 9 kërcime e 5 asistime - s’mjaftuan për ekipin e Lipjanit që tashmë duket të jetë në rrezik serioz për rënie nga elita, nëse nuk bën përforcime serioze gjatë afatit kalimtar të janarit.
Me këtë fitore Rahoveci përforcon kreun me bilancin 10-1, ndërsa Lipjani mbetet pa fitore ende, pas XII xhirove.