Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINAL 8 NË SUHAREKË

Ministria e Shëndetësisë nuk lejon tifozët! “Final 8” pa publik

Ministria e Shëndetësisë nuk lejon tifozët! “Final 8” pa publik


2 February, 2021 @8:54

Gara që sjell trofeun e parë të vitit në basketboll si dhe ngjallë interesim të madh jo vetëm te basketbolldashësit, Final 8 i Kupës së Kosovës, do të zhvillohet pa tifozë.

Përfundimisht kështu ka vendosur Ministria e Shëndetësisë që i ka kthyer një përgjigje “shabllon” Federatës së Basketbollit të Kosovës duke mos i lejuar të shtojnë numrin e të pranishmëve në sallë për këtë ngjarje madhore për basketbollin kosovar, në vetëm 200 persona për ndeshje!

FBK-ja i kishte dërguar një plan për ta bindur MSH-në se është e gatshme të organizojë një ngjarje sportive me tifozë, për herë të parë në edicionin e ri të garave.

Por, Ministria e painteresuar për të bërë punë për ngritjen e pozitivitetit te shikuesit dhe motivin në luftë për pandemi, ka dërguar përgjigjen “shabllon” që t’i referohen vendimit të fundit, ku specifikohet se nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave në qendra rekreative dhe sportive.

Në deklaratën e dhënë për Kohën, sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka bërë të ditur se janë të dëshpëruar, por primarja është shëndeti.

“Edhe ne donim që këto ndeshje të Kupës të luheshin me tifozë, por për shkak të situatës me pandemi jemi të detyruar të vazhdojmë garat si i nisëm. Jemi të dëshpëruar, por kjo është për mbrojtjen e shëndetit dhe për federatën,” ka thënë Dushku për koha.net derisa ka treguar se në letrën e fundit të dërguar nga Ministria përkatëse në FBK thuhet që “duhet t’i referohemi vednimit të fundit për masat anti-COVID dhe nenit 24, ku ceket se ndalohet grumbullimi i më shumë se 50 personave.”

Paralajmërimi i ditëve më parë se “Final 8” do të pranojë maksimalisht 200 shikues për ndeshje kishte ngjallë eufori të madhe te tifozët, të cilëve u mungojnë ekipet e tyre. Disa prej tifozërive bile kishin pranuar se janë të gatshëm për pjesëmarrje në ndeshjet e skuadrës së tyre në fazën finale të Kupës.

Derisa sporti vazhdon të vuajë, politikanët që po garojnë për deputetë, përfshirë edhe vetë Ministrin e Shëndetësisë, po bëjnë grumbullime e tubime me dhjetëra më shumë personave sesa që lejon protokolli, ndërsa në disa prej tyre po përdoren edhe armë. Natyrisht krejt kjo kalon pa dënime, pa gjoba dhe nuk e vëren asnjë inspekcion.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga