INIESTA

REUTERS
Mourinho dëmtoi La Ligan
9 June, 2013 @17:04
Tre vitet e Jose Mourinhos si trajner i Real Madridit më shumë i sollën dëm sesa të mira futbollit spanjoll.
Ky është mendimi i përgjithshëm i mesfushorit të Barcelonës dhe Spanjës, Andres Iniesta, i cili në edicionin e së dielës të El Paisit është pyetur për tani më ish trajnerin e madrilenëve.
“Shikoni faktet… Po, ai në përgjithësi i ka sjellë më shumë dëm sesa të mira futbollit spanjoll,” është cituar të ketë thënë Iniesta për El Paisin.
“Mirëpo, në përgjithësi nuk kam qejf të flasë për atë person, kështu që po e lëmë me kaq këtë muhabet dhe mos më pyesni më për të asgjë,” ka qenë përgjigjja e mesfushorit 29 vjeçar të Barcelonës.
Jose Mourinho, 50 vjeçar, ka qenë ndihmës trajner i Barcelonës në fundvitet e 90-ta të shekullit të kaluar, ndërsa gjithashtu ka menaxhuar edhe Porton e Interin.
Lista e incidenteve kontraversale të Mourinhos në Spanjë është e gjatë. Ndër ato që më së shumti mbahen në mend janë: fjalosja dhe futja e gishtit në sy të ndihmës trajnerit të Barcelonës, Tito Vilanova. Vazhdueshmëria e akuzave ndaj referëve. Përleshje me gazetarë dhe zyrtarë të Real Madridit. Fjalimet se kinse Barcelona është e favorizuar nga UEFA-ja.
Ndërsa krejt në fund, në finale të Kupës së Mbretit të Spanjës, është përjashtuar nga banka për shkak të fyerjes së ashpër ndaj referit. Ai pastaj nuk u paraqit pas ndeshjes, duke mos e marrë as medaljen e humbësit nga monarku spanjoll. Real Madrid e humbi këtë finale nga Atletico Madrid, 2-1, në Santiago Bernabeu.