Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA - GJIBRALTARI

Mposhtim Gjibraltarin, golshënues prodhimi i Superligës!

TOPSPORTI / Arian Paçarizi

Mposhtim Gjibraltarin, golshënues prodhimi i Superligës!


10 October, 2019 @19:53

Në miqësoren përgatitore para ndeshjes së madhe ndaj Malit të Zi, Kosova ka shënuar fitore minimale 1-0 ndaj Gjibraltarit në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Ndeshja kaloi me dominim të plotë të Kosovës, ndonëse jo me aq shumë raste konkrete për shënim, kjo edhe për shkak të shumë ndryshimeve në formacionin bazë, kur dihet që vëmendja e trajnerit Challandes dhe e gjithë skuadrës është te ndeshja e të hënës ndaj Malit të Zi.

GRUPET KUALIFIKUESE DREJT EURO2020

Me pjesën e parë që u mbyll 0-0, përkundër rasteve të mira të Muslijës (13’) e Bernard Berishës (22’), Kosova golin e fitores e gjeti në pjesën e dytë përmes zëvendësuesit Florent Hasani, i cili shënoi me ndihmën e një devijimi pasi pranoi një pasim mjat të mirë nga Leart Paqarada, gjithashtu i inkuadruar nga banka, prej krahut të majtë (68’).

Është me rëndësi të përmendet që autori i golit të sotëm është prodhim i Superligës së Kosovës në futboll. Florent Hasani, që momentalisht luan në elitën hungareze të futbollit, u shpall kampion me Trepçën ‘89 në stinorin 2016/2017 të Superligës, derisa goli i shënuar për të ishte i pari me fanellën e Kosovës.

Sa i përket ndryshimeve në formacion, Challandes bëri 4 zëvendësime me të filluar pjesa e dytë. Florent Muslija, Benjamin Kololli, Edon Zhegrova dhe Bernard Berisha u larguan nga loja, derisa Elbasan Rashani, Florent Hasani, Lirim Kastrati dhe Leart Paqarada u inkuadruan në lojë. Ndryshimi i fundit u bë më vonë gjatë pjesës së dytë (63’), kur Valon Berisha i liroi vendin Idriz Vocës.

Përveç golit të shënuar, Kosova në pjesën e dytë rrezikoi edhe përmes Lirim Kastratit, Valon Berishës e Atdhe Nuhiut, por asnjë prej tentimeve nuk përfundoi në portë dhe ndeshja u mbyll me rezultatin minimal 1-0.

Sa i përket Gjibraltarit, daljet e tyre në kundërsulm, kryesisht përmes Hernandezit, ishin të rralla dhe nuk e shqetësuan pothuajse asnjëherë portën e Ujkanit.

Tash, i gjithë përqëndrimi bartet te ndeshja e ardhshme, të hënën me fillim nga ora 20:45 ndaj Malit të Zi në “Fadil Vokrri”, ndeshje që mund të jetë vendimtare në luftën për kualifikim në EURO2020!


 
Të gjitha lajmet nga