Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

RIZGJEDHET, PRITSHËM

“Njohës i halleve” Agim Ademi rizgjidhet kryetar i FFK-së

Agim Ademi ka marrë votat e nevojshme për të vazhduar edhe 4 vite si kryetar i FFK-së/ Foto: FFK

“Njohës i halleve” Agim Ademi rizgjidhet kryetar i FFK-së


6 April, 2022 @13:10

Agim Ademi është rizgjedhur në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës për një mandat të ri katërvjeçar, me 42 vota për dhe një abstenim.

Në punimet e Kuvendit, që u zhvillua sot në selinë e FFK-së, morën pjesë 43 delegatë, derisa me prezencën e tyre këtë aktivitet e nderuan anëtari i KE të UEFA-s dhe njëherësh kryetari i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësuesit e FIFA-s, Alessandro Gramaglia e Sofia Malizia, përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Sportit.

Pasi mori besimin e delegatëve të Kuvendit të FFK-së, Agim Ademi theksoi se ai dhe KE i FFK-së do të punojnë bashkërisht me të gjithë për ta çuar përpara futbollin e Kosovës.

“Faleminderit për besimin e dhënë. Këtë mandat të ri nuk e marrë si privilegj, por si obligim të madh. E këtë obligim nuk mund ta kryej pa ju, prandaj ju dua afër vetes. Këtë përgjegjësi dhe ndihmën që ma jepni, unë e marr me shumë seriozitet edhe për ata që kanë mendime ndryshe. Besimin do t’ua kthejë të gjithëve me punën time, pasi jam njeri i futbollit dhe jam i lumtur që jam në familjen time apo mos të them në zanatin tim. Kur them në zanatin tim, them pasi jam një jetë në futboll si futbollist, kryetar klubi dhe prijës i federatës. I di hallet e futbollistit, klubit dhe punët e federatës. Di të jem punëtor dhe i mirë me organizatat. Unë jam vullnetar në futboll dhe do të vazhdoj të jem i tillë”, ka theksuar Ademi, i cili njëherësh falënderoi UEFA-n, FIFA-n dhe të gjitha institucionet për raportet e shkëlqyeshme dhe përkrahje në mandatin e tij të parë.

Pas shumë kundërthënieve dhe debateve, akuzave si dhe rasteve në gjykata, Agim Ademi pritshëm dhe pa kundër kandidat ka marrë besimin e delegatëve të shumicës së klubeve të Federatës për të drejtuar sportin më të pasur në Kosovë edhe për 4 vite tjera.

As letra e Ministrisë së Sportit, që këshillonte datën tjetër, as gjykatat, eliminimi i kundër-kandidatit të vetëm me një Komision pa emra dhe çka tjetër jo - sot, mbi të gjitha, pa media të pranishme në sallë - Agim Ademi doli të merr besimin e atyre që s’e bojkotuan sot dhe 43 delegatët e pranishëm bënë kuorumin e nevojshëm për t’ia dhënë atij pakontestueshëm besimin.

Të gjitha këto procedura (vërtetimi i mosligjshmërisë së kundër-kandidatit, reagimet ndaj akuzave, vendimet gjyqësore, letra të Komisionit pa emra) u kryen me shpejtësi për lakmi, brenda ditës ose një-dy ditë maksimalisht, derisa Komisioni i Garave ende nuk ka marrë vendim për një incident të turpshëm të derbit Gjilani-Ballkani - ku gjithçka është e shkruar në Rregulloret e garave.

Gjithçka në anën tjetër drejtohej nga u. d. sekretari i përgjithshëm Taulant Hodaj, që në cilësinë e një prindi, dirigjonte gjithçka në Kuvendin e Punës, për ta bërë pa asnjë telash ligjor e duke u kujdesur për secilën procedurë e fjalim, Ademin kryetar. E vetë Hodaj paralajmëroi ndryshimin e Statutit të FFK-së shumë shpejt dhe kërkoi nga klubet që t’i japin lirinë e punës Komisinit Ligjor, për ta “harmonizuar” siç tha ai Statutin e Federatës sonë me atë të vendeve të zhvilluara anëtare të UEFA e FIFA.

Kuvendi përfundoi me ftesë për një koktej në zyret e FFK-së, të pasuar me drekë në “Emerald” dhe me transport të organizuar për të gjithë të pranishmit që nuk kishin mundësi transporti deri atje.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga