Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AUSTRALIAN OPEN 2021

Nuk ka tretman special, refuzohet Djokovic

Nuk ka tretman special, refuzohet Djokovic


19 January, 2021 @11:55

Nuk do të ketë “tretman special” për lojtarët e karantinuar në Australian Open. Ky ka qenë mesazhi që e dha kryeministri i shtetit Victoria të Australisë, Daniel Andrews, pasi që numri një i botës në tenis, Novak Djokovic, ka bërë një listë të propozimeve që përfshinë ndër të tjera shkurtimin e kohës së izolimit për 72 tenistët dhe kërkesa tjera.

“Njerëzit janë të lirë të shprehin kërkesat e tyre. Por përgjigjja është jo,” ka thënë Andrews.

Kërkesat e tenistit serb nuk janë parë me sy të mirë në Australi, pasi që rastet e COVID-19 janë të ulëta, por mijëra qytetarë nuk mund të lëvizin mes shteteve australiane për të parë anëtarët e familjes.

72 lojtarë janë në karantinë dy-javore në hotel, pas testimeve pozitive gjatë arritjes së tyre në Melbourne, ndërsa është raportuar se Djokovic ka kërkuar ushqim më të mirë, më shumë paisje fitnesi nëpër dhoma dhe të shkurtohet koha e izolimit, ndër të tjera.

CNN në anën tjetër ka raportuar se tenistja numër 71 në renditje, Sorana Cristea, është ankuar pasi që nuk do të jetë garë e njëjtë në mes të izoluarve dhe atyre që s’janë të izoluar.

“Nuk mund të garojmë pas 14 ditësh izolimi në dhomë. Kjo është çështja, jo rregulla e karantinës. Do të më duhen së paku 3 javë stërvitje të rregullta, normale, për të qenë në formë të lartë,” ka shkruar ajo në Twitter.

Por, kryeministri i Victorias Andrews ka pasur përgjigje edhe për këtë.

“Rregullat janë shkruar para se të nisen ata për në Australi. Të gjithë i kanë ditur rregullat. Prandaj nuk do të ketë tretman special, përjashtim s’bëjmë për askënd… as virusi nuk po na trajton me preferenca, prandaj as ne s’do të lëshojmë pe,” ka thënë ai.

Grand Slami i parë i vitit, Australian Open, është planifikuar të nis më 8 shkurt dhe të përfundojë më 21 shkurt.

Novak Djokovic është kampion i fundit i kësaj gare në kategorinë e meshkujve, ndërsa te femrat në vitin e kaluar kishte triumfuar amerikanja Sofia Kenin.


 
Të gjitha lajmet nga Tenis