Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINALJA E KUPËS

Oto John vendimtar, kupa e Prish7inës!

FOTO / Prishtina

Oto John vendimtar, kupa e Prish7inës!


29 July, 2020 @19:46

Fituese e Kupës së Kosovës për sezonin 2019/2020 është skuadra e Prishtinës, që këtë garë sot e fitoi për herë të shtatë në histori të klubit!

Në finalen e luajtur sot në “Fadil Vokrri”, finale që dhuroi më pak se që pritëm, Prishtina e mposhti Ballkanin nga Suhareka 1-0 (Oto John 20’), mjaftueshëm për ta fituar trofeun dhe të drejtën që ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet për Europa League sezonin që vjen.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 1-0 në të mirë të Prishtinës, e cila epërsinë e arriti pas një goli fantastik të shënuar nga Oto John (20’). Përveç golit të shënuar, John ishte lojtari më i mirë te Prishtina në këtë pjesë, duke qenë rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen e suharekasve. Përveç golit të shënuar, Oto John me një pasim fantastik në fundin e pjesës së parë (45+3’) shërbeu mjaft mirë Meriton Korenicën, i cili befasisht gaboi nga shumë pak metra.

Sa i përket Ballkanit, kjo skuadër nuk krijoi as një rast të rrezikshëm në pjesën e parë. Përkundër posedimit të topit kryesisht në mesfushë, porta e Bekajt nuk u rrezikua seriozisht pothuajse asnjëherë.

SKEMA E KUPËS

Pasi “nuk i eci” në pjesën e parë, Ismet Munishi pjesën e dytë e filloi duke iu ndërruar vendet Jetmir Topallit e Ermal Krasniqit, në mënyrë që faza sulmuese të tregojë diçka më tepër se në pjesën e parë.

Më pas, në fazën sulmuese erdhën edhe inkuadrimet e Artur Maganit dhe Liridon Fetahajt, duke bërë që numri i sulmuesve të Ballkanit të rritet, me qëllimin e vetëm që ishte gjetja e golit.

Këto ndryshime ngjallën paksa lojën e Ballkanit dhe bënë kjo skuadër të sulmojë shumë më tepër, mirëpo për fatin e keq të saj goli i barazimit nuk erdhi asnjëherë përkundër tentimeve dhe kështu ndeshja u mbyll me fitoren e Prishtinës.

Me Ballkanin që ishte koncentruar totalisht në sulm, Prishtina herë pas herë u tregua e rrezikshme në anën tjetër. Një goditje e Lorik Boshnjakut përfundoi në shtyllë (74’) e më pas një rast i shpërdoruar nga Armend Thaqi (78’) mund të përmenden si raste të mira të Prishtinës në këtë pjesë, mirëpo ajo që i duhej Prishtinës, menaxhimi i epërsisë, ndodhi, dhe skuadra kryeqytetase në fund festoi.

Lajmi i vetëm negativ nga ky takim për Prishtinën është lëndimi i sulmuesit Gauthier Mankenda, lëndim i cili në shikim të parë dukej i rëndë dhe nëse është i tillë, lojtari në fjalë mund t’i mungojë Prishtinës në ndeshjet kualifikuese drejt Europa League.

Ky ishte titulli i parë në karrierën e Armend Dallkut si trajner, kurse Ballkani ende duhet të presë për trofeun e parë në histori të klubit, por që megjithatë mund të krenohet për këtë sezon fantastik në ligë dhe në kupë!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga