Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SEMIFINAL: MAN CITY 4-3 REAL MADRID

Panenka e Benzemasë mbanë gjallë Real Madridin, City fiton

Karim Benzema duke vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes së parë gjysmëfinale/ Fotografitë: UCL/fb

Panenka e Benzemasë mbanë gjallë Real Madridin, City fiton


26 April, 2022 @23:25

Një ndeshje për memoare futbollistike, futboll total për gurmanët e sportit më të popullarizuar në botë, derisa në Etihadin e mbushur Manchester City i drejtuar nga Pep Guardiola dhe Real Madridi i Carlo Ancelottit kanë dhënë spektakël jo vetëm për të pranishmit aty, por edhe gjithë globin.

‘Qytetarët’ e Manchesterit fituan ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj ‘mbretërve’ madrilen 4-3 [De Bruyne 2, Jesus 11, Foden 53, Bernardo 74 - Benzema 33, 82p., Vini Jr. 55] për të dhënë sinjale mosdurimi për pritjen e javës tjetër asaj që do të ndodhë në Santiago Bernabeu të kryeqytetit spanjoll.

Manchester City tregoi paraqitje briliante derisa dridhnin fillimisht portën e kundërshtarit, por disi mysafirët u kthyen në ndeshje, falë sulmuesit francez të tyre në formë të jashtëzakonshme këtë stinor, për të mbajtur ekipin në lojë dhe për të shpresuar bukur mirë finalen që pas rezultatit përfundimtar e kanë tepër të mundur.

Belgu De Bruyne që në fillim të ndeshjes dha sinjale për ndeshje epike, derisa shënoi golin më të shpejtë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve, ndërsa Gabriel Jesus shpejt e bëri 2-0, kur sulmet e Cityt po vinin si breshëri.

Ishte Benzema, që sonte mori primatin e golashënuesit më të mirë të stinorit në Ligë të Kampionëve me golin e dytë, kur shënoi në pjesë të parë për t’i dhënë shpresa Realit, duke qëlluar nga një pozitë tepër e vështirë për 2-1.

Pushim 15 minuta për ekipet dhe për adhuruesit gjithandej. Mezi pritej pjesa e dytë, ndërsa ekipet dolën në fushë për ta bërë spektaklin edhe më të madh, me katër gola tjerë të shënuar në 45 minutëshin e dytë të ndeshjes.

Phil Foden shënoi për 3-1, derisa i pamarkuar nga mbrojtja qëlloi me kokë portën e rivalit pas krosimit të Fernandinhos. E ky i fundit mbeti jashtë loje me një lëvizje të Vinicus Juniorit në mes të fushë, ku braziliani vrapoi tërë gjysmëfushën e vendasve për të shënuar nga afërsia për 3-2. Deri në fund të ndeshjes kishin mbetur edhe gjysmë orë lojë.

Në momentin kur pritej faul për Olex Zinchenkon, gjyqtari Istvan Kovacs dha avantazh, derisa në skenë doli Bernardo Silva me një goditje të furishme për të rikthyer epërsinë dygolëshe për ekipin e Guardiolës.

Por asgjë s’kishte përfunduar, në skenë Benzema me panenkën e tij, për të lënë Edersonin e shtrirë derisa topi shkonte në portë bukur, për përfundmitaren 4-3!

Duke ditur që goli si mysafir nuk vlen më shumë si më parë, pritet që ndeshja në Madrid nëse jo kaq gola, të sjellë spektakël të njëjtë - e finalisti nga ky çift do të kuptohet të mërkurën tjetër, pasi që City në fundjavë të luajë ndaj Leedsit (ndeshje që duhet fituar patjetër për të mbajtur epërsinë minimale në ligë në luftë për titull kampioni) ndërsa Reali pret Espanyolin (pa shumë brenga, duke ditur se titullin kampion e ka te dera, e kundërshtarët larg për ta arritur kreun).

“Humbja nuk është asnjëherë gjë e mirë, sepse e duam Ligën e Kampionëve. Por, gjëja më e rëndësishme është se asnjëherë nuk u dorëzuam dhe mbesim në luftë deri në fund. Në Bernabeu duhet të bëjmë diçka magjike për të kaluar këtë pengesë,” - tha golashënuesi më i mirë i stinorit aktual në Ligë të Kampionëve, me 14 gola të shënuara.

Ndërsa njeriu që i siguroi fitoren Cityt sonte u shpreh: “Ishim shumë të mirë në 20 minutat e para të lojës, për fat të keq nuk e ruajtëm përparësinë prej dy golave që e kishim. Gjithsesi fituam, por do të mund të kishim më të lehtë ndeshjen e dytë po të shfrytëzonim rastet nga kjo ndeshje shumë-shumë e mirë për ne.”


 
Të gjitha lajmet nga Champions League