Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NDAHEN RRUGËT

Pas 3 humbjesh në 4 ndeshjet e fundit, Trepça ndan rrugët me Minchevin

Pas 3 humbjesh në 4 ndeshjet e fundit, Trepça ndan rrugët me Minchevin


24 October, 2022 @21:29

Trepça ka pësuar tri herë në katër ndeshjet e fundit të Superligës, ndërsa ekipi para pak çastesh ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me marrëveshje me trajnerin bullgar të ekipit, Ljubomir Minchev.

Së pari u mposhtën nga Peja, pastaj fituan Prishtinën ngushtë, për të pësuar nga Ylli dhe së fundi, nga Vëllaznimi humbja doli të jetë e pafalshme për trajnerin që i solli dy trofe ekipit mitrovicas këtë vit.

Trepça fitoi Kupën e Kosovës me Minchevin si dhe Superkupën Mbarëkombëtare të Ligës Unike, ndërsa luajti finalen e Superkupës së Kosovës dhe atë të PlayOffit.

Bullgari mori drejtimin e ekipit mitrovicas në korrik të vitit 2021 dhe është ndër trajnerët e rrallë të huaj që kanë qëndruar aq gjatë në një ekip, që është për tu vlerësuar duke ditur si funksionojnë ekipet në vendin tonë.

“Faleminderit Lubo Minchev, gjithnjë do jesh një nga ne. Pas një bashkëpunimi të gjatë dhe shembullor, kemi vendosur të ndajmë rrugët me trajnerin Lubomir Minchev. Vendimi u mor me marrëveshje të dyanshme. Minchev mori drejtimin e skuadrës sonë në verën e vitit 2021. Ka dhënë kontribut të madh në vënien e themeleve të një klubi profesional. Me Minchevin kemi arritur të gjitha finalet e mundshme dhe kemi fituar Kupën e Kosovës dhe Superkupën Mbarëkombëtare. Por pas mini-krizës në rezultate kemi vendosur të ndajmë rrugët. Falenderimet më të sinqerta për Minchevin. Ai do të mbetet gjithnjë njëri nga ne, pjesë e familjes së madhe Trepça.” ka shkruar njoftimi i ekipit mitrovicas botuar pak më parë.

Trepça për momentin nuk ka bërë të ditur se kush do të drejtojë skuadrën në vazhdim. Ndërsa nëse nuk arrin të gjejë një trajner shpejt, atëherë ndihmësit e Minchevit, Brahim Veseli e Izet Tahiri pritet të drejtojnë skuadrën derisa të zyrtarizohet kryetrajneri i ri i ekipit.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga