KBF PRISHTINA - KBF BASHKIMI
Pas 4 vazhdimeve, KBF Prishtina shkakton humbjen e parë të Bashkimit
7 December, 2020 @21:11
Ndeshja e çmendur në derbin e Ligës së Femrave në mes të Prishtinës dhe Bashkimit, përfundoi me fitoren e skuadrës prishtinase pas 4 vazhdimeve me rezultat 141-136.
Për ta caktuar fituesin në këtë duel, shumica e vashave luajtën gati një orë, derisa Prishtina ishte ajo që gaboi më pak në vazhdimin e katërt dhe kështu ia shkaktoi humbjen e parë Bashkimit.
Në këtë ndeshje shkëlqeu Enxhi Xhanaj me 40 pikë, 8 kërcime, 8 topa të rrëmbyer e 2 asistime. Ajo u ndihmua edhe nga Era Shatri me 34 pikë, 21 kërcime e 6 asistime dhe Enisa Kamerolli me triple-double prej 21 pikëve, 11 asistimeve e 10 kërcimeve.
Te Bashkimi Le’Jzae Davidson luajti me 49 pikë, 7 kërcime e 6 asistime, Arbnore Përquku me triple-double prej 29 pikëve, 16 asistimeve e 10 kërcimeve dhe Jeta Zeka me 24 pikë, por nuk mjaftuan këto performanca për ta mbrojtur epitetin e të pamposhturit në Ligën e Femrave.
Prishtina me 5 fitore e 3 humbje gjendet në pozitën e tretë, kurse Bashkimi e regjistroi humbjen e parë pas 7 fitoreve rresht dhe gjendet në krye të tabelës.
Në xhiron tjetër Prishtina takohet me Penzën, derisa Bashkimi me Kastriotin.