KRITIKËT S'FALIN

Pushtohet nga kritikat, parashikohet Manchester Unitedi
27 October, 2013 @14:59
The Sunday Times ka shkruar sot se Manchester United është duke shpresuar një lëvizje të Gareth Bale-it në ekipin e tyre gjatë muajve në vijim, ose më së largu në fillim të stinorit tjetër.
Njeriu i cili u pagua 100 milionë euro për të ardhur në Real Madrid, nuk ka arritur të tregohet edhe pas dy muajve në Madrid dhe kjo tashmë ka filluar të sjellë edhe kritikat e para për krahun uellsian.
Ndeshja e mbrëmshme ndaj Barcelonës ka qenë e fundit për t’u treguar, por uellsiani Bale ka qenë thjeshtë i padukshëm në këtë ndeshje.
Trajneri Carlo Ancelotti e ka mbrojtur atë duke thënë se ka qenë i lënduar dhe pa stërvitje intensive gjatë verës, ndërsa pozita e dhënë në ndeshjen e djeshme ndaj Barcelonës në El Clasico ka treguar që ai ka cilësi për të luajtur edhe në krah edhe në mes të fushës.
“Nuk bën shumë dallim për atë ku po luan, në të djathtë apo në mes. Ne deshëm që në fillim t’i bëjmë më shumë presion Sergio Busquetsit, por pas 20 minutave ndërrova pozitën e tij për t’i dhënë më shumë hapësirë,” ka thënë mes tjerash Ancelotti.
Edhe shtypi spanjoll ka kritikuar Bale-in, pasi që ai nuk u pa në ndeshjen e djeshme, kurse Neymar, transferi veror i Barcelonës ka qenë kyq në triumfin e katalonasve.
“Braziliani ishte qartazi ai që ndriçoi,” shkruante Marca. “Futbollisti i Real Madridit ishte i humbur dhe gati i padukshëm… Debutimi i uellsianit në El Clasico ishte më shumë hije sesa dritë.”
Ndërsa e përditshmja Sport ka shkruar se dallimi ndërmjet Neymarit dhe Bale-it në El Clasico ka qenë ‘si nata me ditën’.
Shikuar në tërësi, askush nuk mund të mohojë cilësitë e Bale-it dhe ta bind atë që të lë aq heret aventurën spanjolle. Mirëpo, nëse ai nuk përmirësohet deri në fund të këtij viti, Manchester United beson se ka gjasa reale për të bindur Real Madridin për ta larguar atë nga Santiago Bernabeu, përfundon anglezja The Sunday Times.