VRESHTARËT
Rahoveci paralajmëron përforcimin e radhës
9 November, 2022 @11:55
Rezultatet jo të mira përgjatë ciklit të parë të ndeshjeve të stinorit dhe telashet me lëndime kanë bërë që Rahoveci të mendojë seriozisht për përforcime të huaja për të bërë dallimin në ndeshje.
Përkundër se ekipi me lojtarët që ka në dispozicion vështirë është të arrijë në katërshen e parë, vreshtarët kërkojnë që t’i ikin rrezikut të rënies nga elita, ku janë qe disa vite me radhë, bile kishin arritur edhe finalen e PlayOffit duke u bërë nënkampion.
Kështu Rahoveci ndau rrugët me Devin Johnsonin dhe tashmë pritet që në vend të tij të sjellë një të huaj tjetër për t’i bërë ballë skuadrave të Superligës, që i kanë ikur së paku me dy fitore më shumë vreshtarëve. Trajneri i Rahovecit Muhamed Thaçi është i vetëdijshëm për fuqinë e ekipit, mirëpo ai beson se me luftë deri në fund, basketbollistët që ai drejton do ta arrijnë largimin nga fundi i renditjes.
E mbrëmë, në llogaritë e rrjeteve sociale Rahoveci ka bërë të ditur se shpejt do të njoftojë për lojtarin e ri, që pritet të zyrtarizohet nga klubi. Ai pritet të jetë Mike Edwards, që njeh Superligën, pasi që ka qenë pjesë e Trepçës më parë, ndërsa Rahoveci nuk ka dhënë emër, por ka postuar vetëm hijen e tij për t’i ngazëllyer vreshtarët para zyrtarizimit.
“Bomba është kurdisur,” - ka shkruar njoftimi i klubit me fotografinë e hijes së lojtarit, ndërsa emri i lojtarit pritet të zyrtarizohet shpejtë.
Kujtojmë, skuadrat e Superligës këtë stinor mund të regjistrojnë deri në gjashtë lojtarë të ri të huaj me çmim prej 500 eurosh për regjistrim. Ndërsa pas kësaj, çmimet e regjistrimit të lojtarëve të rinj të huaj në Superligë, do të shumëfishohen.
“11.13.1 Ekipet e Superligës së Meshkujve do të paguajnë shumën prej 500,00€ për gjashtë lojtarët e parë të huaj të regjistruar; shumën prej 5.000,00€ për lojtarin e shtatë dhe të tetë të huaj të regjistruar; shumën prej 10.000,00€ për lojtarin e nëntë dhe të dhjetë të huaj të regjistruar; dhe shumën prej 20.000,00€ për të gjithë lojtarët e huaj të regjistruar shtesë përtej kësaj shifre.” - shkruan në dokumentin e FBK-së për stinorin 2022/23.
Deri tash, vreshtarët kanë realizuar vetëm një fitore, ndërsa në xhiron e radhës do të ndeshen me Trepçën. Bilansi i Rahovecit pas nëntë xhirove është 1-8!