HOFFENHEIM
Rezultatet e mira, s’e mbajnë Schreuderin në ekip
9 June, 2020 @13:41
Përkundër se skuadra ka arritur rezultate të mira këtë stinor në Bundesligë dhe është stabilizuar në mes të tabelës e me mundësi edhe për arritjen e garave evropiane - kjo gjë nuk e ka mbajtur në detyrë trajnerin e deritashëm të Hoffenheimit, Alfred Schreuder.
Holandezi 49 vjeç që erdhi nga Ajaxi bashkë me ndihmësin e tij Dick Schreuder (48-vjeç) janë pajtuar për ndërprerje të kontratës me ekipin në fjalë, përkundër se afati i kontratës ka qenë deri më 30 qershor 2022.
“Alfredi ka stabilizuar ekipin pas ndërrimit në stinorin e kaluar. Ne tash jemi në krye të mesit të tabelës në një stinor që do të mbahet në mend si më i jashtëzakonshmi dhe jo vetëm për shkak të krizës pandemike,” ka thënë drejtori i klubit dr. Peter Görlich.
Ndërsa ai ka përmendur se arsyeja e ndërprerjes së kontratës me holandezin, që u bë me marrëveshje të dyanshme, ka qenë për shkak të opinioneve të ndryshme lidhur me disa pyetje për të ardhmen, që çoi në pakuptimësi vazhdimin e stinorit me Schreuderin.
Hoffenheim, në komunikatën zyrtare të botuar sot, ka bërë të ditur se deri në fund të stinorit ekipi do të drejtohet nga trajnerët tjerë të ekipit, Matthias Kaltenbach, Michael Rechen dhe Timo Gross që në bashkëpunim do të kenë edhe mësuesin e trajnerëve Marcel Rapp dhe ish-lojtarin Kai Herdling nga akademia e klubit.
Katër xhiro para fundit të stinorit Hoffenheim është i pozicionuar në vend të shtatë të tabelës së klasifikimit në Bundesligë me 43 pikë, pas 12 fitoreve, 7 barazimeve dhe 11 disfatave.
Në këto xhiro ata do të ndeshen radhazi me: Leipzig si vendas, Augsburg i mysafir, presin Unionin dhe përfundojnë stinorin në Dortmund ndaj Borussias.