PAS NDESHJES
Rifati: Detajet vendosën
17 January, 2021 @19:18
Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, në deklaratën e tij pas ndeshjes ka thënë se ekipi i tij në fund humbi ndeshjen për shkak të rënies së përqëndrimit në disa momente.
Ponte Prizreni u mposht nga Golden Eagle Ylli me 4 pikë dallim, 95-99. Ndërsa te ekipi i Rifatit Divine Myles në debutim shënoi 20 pikë e 8 asistime, kurse Jeremiah Paige ka qenë i jashtëzakonshëm si snajper sonte, duke shënuar 7 nga 9 tentimet e tij për tre pikë, për të përfunduar ndeshjen me 29 pikë.
Ai ka thënë se këto ndeshjet e mëdha, derbi, do të vendosen nga një detaj i vogël prandaj duhet patur kujdes.
“Nuk shkoi shumëçka. Filluan dobët ndeshjen. Pastaj rikuperuam epërsinë e Yllit. Në çerekun e tretë luajtëm lojën tonë, për këtë dolëm edhe në epërsi. Pas kësaj na ra përqëndrimi, ndërsa kundërshtari e mbajti ekipin më të freskët me ndërrime,” ka thënë ai.
“Prapë them, në këto ndeshjet e mëdhaja vendos një detaj. Në këto ndeshje shpresoj që faktori i tretë mos ta vendos lojën, por nuk do të flas më shumë për këtë çështje,” ka shtuar Rifati.
Sa i përket forcës së ekipit, ai ka thënë se është i bindur që ekipi i tij do të jetë ndër më të mirat në ligë.
“Kjo është ndeshja e parë pas afatit kalimtar. Kemi Divine Mylesin në ekip, që është pa dyshim prej më të mirëve në ligë. Ne jemi në trend të rifreskimit dhe komponimit të ekipit dhe rezultatet e vërteta do të shihen pas 2-3 jave,” ka vazhduar Rifati.
“Mësimi nga kjo ndeshje është që të mos lejojmë të na ikë loja nga dora, sikurse që na iku sot, derisa ka qenë ndeshje shumë-shumë e mirë, mes dy ekipeve më të mira të ligës për momentin që do të bëjnë dallimin,” shtoi ai ndër të tjera.
Ponte Prizreni është treguar si njëra ndër skuadrat më stabile të pjesës vjeshtore të stinorit, ndërsa në pjesën e dytë të stinorit me përforcimet e bëra, synon të arrijë trofeun e parë në histori të skuadrës si klub elitar i basketbollit të Kosovës.