COPPA ITALIA
Rregull i ri nëse ekipet barazojnë në Coppa Italia
12 June, 2020 @16:04
Juventus dhe Milan do të jenë dy ekipet e para që do të nisin aksionin futbollistik në Itali, pas ndërprerjes së stinorit në Gadishullin Apenin për shkak të pandemisë.
Futbolli italian u pezullua më 9 mars 2020 për shkak të pandemisë coronavirus. Ndeshja e sontme është ndeshja e kthimit e gjysmëfinales.
Në duelin e parë, ekipet barazuan në San Siro, pasi një penalltie që u diskutua mjaft, të cilën e shënoi Cristiano Ronaldo për përfundimtaren 1-1 në natën e 13 shkurtit 2020.
Juventus - Milan do të zhvillohet pa shikues dhe nën masa mbrojtëse për COVID-19, ndërsa nis në ora 21:00.
E risia e Kupës së Italisë është që në përballjet si kjo, kur ekipet barazojnë edhe në përballjen e dytë me rezultat të njëjtë - atëherë vazhdimet nuk do të zhvillohen për të mos i lodhur më shumë lojtarët. Kjo do të vlejë vetëm në kushtet aktuale dhe nuk do të zbatohet në stinorët tjerë. Pra, nëse ndeshja sonte përfundon 1-1 për 90min e rregullta, atëherë shkohet në penallti.
Përballja tjetër gjysmëfinale në Kupën e Italisë mes Napolit dhe Interit zhvillohet nesër mbrëma. Duelin e parë e kishte fituar Napoli 0-1 në Milano.