RREGULLORJA PËR COVID-19
Rregullorja e UEFA-së, nëse 13 lojtarë nuk janë në dispozicion: 3-0
11 August, 2020 @18:33
Rregullorja e UEFA-së për vazhdimin e garave pas rasteve me COVID-19 bën të ditur se ekipi duhet të dëshmojë së paku 13 lojtarë, prej të cilëve një portier, me rezultat negativ për COVID-19 - në të kundërtën - ndeshja humbet në tavolinë 3-0.
Opsioni i vetëm i mbetur për Dritën, tashmë pas ndeshjes së anuluar Drita-Linfield, pasi që edhe një lojtar i Dritës ka dalë pozitiv në coronavirus, është që ndeshja të luhet më 14 gusht.
Nëse deri më atë datë, nuk dalin negativ 13 futbollistë te Drita atëherë Linfield do ta fitojë ndeshjen 3-0 dhe do të kalojë tutje.
Kjo rregullore e UEFA-së për COVID-19 është nënshkruar nga të gjitha Federatat anëtare të UEFA-së, që rrjedhimisht fut aty edhe FFK-në.
Kujtojmë, te Drita pozitiv ka dalë futbollisti që i solli fitoren në përballjen e parë parakualifikuese, Hamdi Namani dhe ai bashkë me cimerin e tij janë izoluar.
Sot, është konfirmuar edhe një rast pozitiv tjetër te Drita dhe për këtë u anulua ndeshja ndaj Linfieldit.
E tërë skuadra e Dritës është në izolim dhe tash pret të testohet përsëri për të parë opcionet nëse do të mund të vazhdojnë ndeshjen apo do ta humb atë në tavolinë.