Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TERMINI FINAL

Seria finale Ylli-Trepça, nis të dielën

Seria finale Ylli-Trepça, nis të dielën


20 May, 2022 @15:22

Pas konfirmimit të finalistit të dytë të PlayOffit të Superligës, Federata e Basketbollit të Kosovës ka publikuar sot terminin e ndeshjes së parë të serisë finale.

Kështu, Ylli, kampioni aktual që mposhti Prishtinën në gjysmëfinale të PlayOffit 3-0 pret Trepçën 13 qershori të Suharekës për ndeshjen e parë të serisë të dielën me fillim prej orës 17:30.

Seria finale e PlayOffit luhet në sistemin 1-1-1-1-1, ku udhëtohet në sistemin vajtje-ardhje, derisa njëra skuadër të arrijë tri fitore - që e bëjnë kampion të Kosovës për edicionin 2021/22.

Ylli është kampion aktual i Superligës, pasi që për të parën herë e fitoi titullin kampion në edicionin e kaluar të garave.

Ndërkaq Trepça, nuk e ka fituar titullin kampion qe një dekadë, ku në stinorin 2011/12 kishin mposhtur Prishtinën në finale 3-2 për të fituar titullin e fundit të kampionit.

Ylli përndryshe ka kryer stinorin e rregullt si lider i kampionatit, gjë që i ka siguruar atyre edhe përparësinë e terrenit vendas në finale. Suharekasit e drejtuar nga Adis Beciragic këtë stinor kanë luajtur në finale të Ligës Unike, por e kanë humbur atë nga Peja, ndërsa pas dy trofeve të fituara në stinorin e kaluar (titulli kampion dhe Liga Unike), këtë stinor u ka mbetur vetëm kampionati në garë.

Në anën tjetër Trepça, që ka nisur kompletimin e ekipit më herët nga të gjitha skuadrat, vetëm deri tash ia ka parë frytin punës serioze. Me angazhimin e trajnerit Ljubomir Minchev, që në verën e kaluar dhe me kompletimin e ekipit para fillimit të sezonit mitrovicasit tashmë kanë arritur në finalen e tretë të këtij stinori, ndërsa gjatë shkurtit kanë fituar Kupën e Kosovës. Titulli kampion, pas një dekade, është kërkesa e radhës e minatorëve.

Sa i përket historisë së basketbollit të pavarur të Kosovës, Trepça ka tri tituj kampioni të fituar (2000, 2001 dhe 2012) ndërsa Ylli një (2021).


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga