WERDER

REUTERS
Shkarkohet pas 41 vitesh shërbim
15 May, 2013 @18:08
Viti i shkarkimeve, kështu mund të quhet ky fundstinor. Pas 41 vitesh shërbim si lojtar, trajner dhe menaxher në klub, Werder Bremen, ka shkarkuar Thomas Schaafin.
Schaaf, 51 vjeçar mund të quhet njeriu-ekip, pasi që në plotë kuptimin e fjalës tërë jetën e tij ia kushtoi Werderit. Ai erdhi në klub si një talent në moshën 10 vjeçare, pastaj vazhdoi karrierën si lojtar aty dhe e përfundoi si trajner e menaxher.
Werder fitoi dy herë titullin e Bundesligës, tre herë Kupën e Gjermanisë dhe një herë Kupën e Ligës, nën udhëheqjen e Schaafit, i cili morri udhëheqjen e klubit në vitin 1999, pasi që ishte pensionuar si lojtar në vitin 1995.
Klubi do të udhëhiqet në xhiron e fundit të Bundesligës nga ndihmësit e Schaafit, Wolfgang Rolff dhe Matthias Honerbach.
“Ai është definicioni i Werderit. Ne i falenderojmë për vitet e tij të kaluara në klub, por tani ka ardhur koha për ndryshime,” ka thënë drejtori sportiv i klubit, Thomas Eichin, në lidhje me shkarkimin e tij.
Werder prej një klubi që konkurronte për kualifikim në Ligë të Kampionëve, këtë stinor ka përjetuar debakël, duke qenë aktualisht në pozitën e 14-të të Bundesligës.