EKSKLUZIVE
Shoshi: Ndeshja më e rëndësishme e Kosovës
12 August, 2017 @11:11
Njëri ndër ardhjet e kësaj vere te Kosova, Lis Shoshi, që u dallua me lojën e tij në përballjen e parë ndaj Maqedonisë, pret që Kosova të arrijë fitore sonte ndaj rivalit të njejtë, në ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Shkup.
Në një bisedë ekskluzive me Borozani.com, Shoshi ka thënë se kjo është ndeshja më e rëndësishme që do ta ketë Kosova, pasi që me fitore eventuale ekipi do të sigurojë fazën e radhës kualifikuese për Kupën e Botës.
Ndeshja më e rëndësishme në histori të reprezentacionit - SHOSHI
“Ndeshja e sotme me Maqedoninë ka me qenë ndeshja më e rëndësishme që e ka pas Kosova deri tash, pasi që fitorja eventuale do të na kualifikonte në raundin tjetër të kualifikimeve,” ka thënë Lisi, që luan për Little Rock në NCAA.
Më tej ai ka shtuar se reprezentacioni do të duhet të jetë i bashkuar si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje për të arritur te fitorja.
Të jesh, ose të mos jesh për Maqedoninë - SHOSHI
“Maqedonia luan ndeshjen ‘të jesh ose të mos jesh’ dhe mendoj se ata do të jenë shumë agresiv në fillim kurse ne duhet të kemi koncentrim dhe të luajmë së bashku në të dyja anët e fushës për të ardhur deri te fitorja,” ka bërë të ditur pritjet Shoshi në këtë përballje për Borozani.com.
Kosova me fitore ndaj Maqedonisë sonte do të siguronte kualifikimin në fazën e radhës kualifikuese të Kupës së Botës.
Kosova ka 1 fitore dhe 1 humbje deri tash, ndërsa Maqedonia 2 humbje. Lider i Grupit C është Estonia, që ka 2 fitore.
Ndeshja Maqedonia - Kosova luhet me dyer të mbyllura në Boris Trajkovski Arena (ora 20:30) të Shkupit sonte, pasi që Federata e këtij vendi e ka cilësuar ndeshjen si ‘të rrezikut të lartë’ dhe nuk ka vënë në dispozicion bileta për shikues.