DUELET MIQËSORE
Shqipëria U19 mposht dy herë brenda tre ditëve Kosovën U19
5 June, 2019 @18:03
Kuqezinjtë e drejtuar nga Nevil Dede, janë treguar përsëri më të mirë se dardanët e drejtuar nga Ramiz Krasniqi.
Shqipëria U19 pas fitores së arritur në Rexhep Rexhepi të Drenasit më 3 qershor 3-1, ka mposhtur edhe sot Kosovën U19 në përballjen që u zhvillua në Fadil Vokrri edhe më thellë, 4-1.
Kuqezinjtë e trajnerit Dede kanë dominuar plotësisht në pjesën e parë, duke zhvilluar një lojë të bukur, e orientuar e gjitha në sulm.
Ka qënë sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi ai që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23-të falë një penalltie.
Loja sulmuese ka dhënë rezultat, dhe në minutën e 40-të, sulmuesi i Chelsea, Armando Broja, ka dyfishuar rezultatin dhe ka dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0.
Pjesa e dytë ka konfirmuar dominimin e Shqipërisë, që ashtu si edhe në pjesën e parë ishin superior ndaj bashkombasve të Kosovës duke shënuar edhe 2 gola të tjerë.
Në minutën e 48-të, Kosova ngushton diferencat me Bytyqin, por kuqezinjtë përgjigjen menjëherë me Muçin në minutën e 56-të dhe Brojan në minutën e 65-të, gol që vulos dhe rezultatin i cili nuk do të ndryshoj deri në fund.