FRANCEZI
Si trajner, Vieira po i kthehet Anglisë?!
11 February, 2021 @0:19
Ish-mesfushori i Arsenalit, Patrick Vieira, që ka nisur karrierën e tij si trajner duke drejtuar Nicen së fundi është shumë afër kthimit në futbollin anglez, njofton the Sun.
Ai është futur si rrufe në llogaritë e skuadrës së Bournemouthit dhe bastoret veçse ia kanë vendosur koeficientin 2.5 për arritjen e tij të kontratës me ekipin e qershive.
Bournemouth ka shkarkuar pas 6 muajve në detyrë trajnerin Jason Tindall, ndërsa trajneri i përkohshëm i ekipit Jonathan Woodgate ka nisur me dy fitore punën e tij, duke siguruar edhe çerekfinalen e FA Cup, pasi që mposhti ekipin e Premier Ligës, Burnley.
Por, për Woodgate-in kryesia nuk llogarit t’i ofrojë kontratë afatgjate. Bournemouth që është në lojë për rikthim në Premier Ligë, do të intervistojë përmes platformës Zoom disa trajnerë, ndër të cilët edhe John Terry, David Wagner, Frank Lampard, Nigel Pearson, Harry Redknapp, Paul Cook e Tony Pulis.