Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FA CUP

Super Aubameyang, Arsenali fitues i FA Cup!

Foto: Sky Sports

Super Aubameyang, Arsenali fitues i FA Cup!


1 August, 2020 @20:36

Për herë të 14 në histori të klubit, Arsenali është fitues i FA Cup! Asnjë skuadër nuk e ka fituar këtë trofe më shumë herë se Arsenali, pas të cilit qëndron Manchester United me 12 trofe në këtë garë, që është gara më e vjetër në histori të futbollit.

Londinezo-veriorët sot në finale e mposhtën me përmbysje 2-1 Chelsean e Frank Lampardit, për t’ia mohuar këtij të fundit titullin e parë si trajner.

Si në gjysmëfinalen ndaj Cityt, edhe sot njeriu kryesor i Arsenalit ishte Pierre-Emerick Aubameyang, i cili edhe sot shënoi dy herë. Fillimisht shënoi nga pika e bardhë (28’), e më pas në pjesën e dytë e shënoi mjeshtërisht (67’) golin e fitores.

Në anën tjetër, Chelsea ishte skuadra që e para kishte kaluar në epërsi përmes golit të amerikanit Pulisic që në minutën e pestë. Mirëpo, që nga goli i shënuar gjërat nuk shkuan mirë për Chelsean. Nuk ndihmuan aspak as lëndimet e Azpilicuetës (35’) e Pulisicit (49’), e më pas as kartoni i kuq (vendim i dyshimtë) i Kovacicit (73’), dhe kështu Chelsea u detyrua të pajtohet me humbjen, duke qenë i pafuqishëm për barazim eventual të rezultatit.

Sa i përket “shqipeve” të Arsenalit, Granit Xhaka luajti gjithë ndeshjen dhe “e nxori” nga loja Kovacicin me dy të verdhë pikërisht për dy ndërhyrje ndaj Xhakës, kurse Shkodran Mustafi mungoi për shkak të lëndimit.

Përveç që e mbyllë sezonin me trofe, i pari në karrierën e Artetës si kryetrajner, Arsenalit ky triumf ia mundëson edhe pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm, gjë që nuk e kishte arritur përmes ligës. Për më tepër, me këtë fitore Arsenalit i mundësohet edhe pjesëmarrja në ndeshjen e Superkupës ndaj kampionit të Anglisë, Liverpoolit, takim që këtë vit luhet më 29 gusht.

 


 
Të gjitha lajmet nga Premier League