Fantasy TopSporti
Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BASHKIMI - TREPÇA

Super ndeshje në Prizren, në fund festojnë vendasit

TOPSPORTI / L.D

Super ndeshje në Prizren, në fund festojnë vendasit


29 October, 2020 @21:12

Ndeshja e fundit e xhiros së parë të sezonit të ri të Superligës së Kosovës në basketboll është mbyllur me fitoren e Bashkimit.

Skuadra prizrenase që drejtohet nga Ilmen Bajra sonte shënoi fitore me rezultat 73-72 ndaj Trepçës së drejtuar nga kroati Neven Plantak.

Kjo përballje ishte shumë interesante dhe fituesi nuk dihej deri në çastet e fundit.

Ndeshjen më mirë e nisi Bashkimi, që ishte më i mirë në çerekun e parë (27-15), kurse rikthimi i mitrovicasve në lojë erdhi në çerekët II dhe III (13-22, 15-19), duke bërë që skuadrat në çerekun e fundit të hyjnë pranë rezultatit 55-56 në të mirë të ‘xehetarëve’.

TABELA AKTUALE

E në çerekun e fundit skuadër më e përqëndruar u tregua ajo e Bashkimit. Në momentet më kritike të ndeshjes, disa shënime vendimtare fillimisht nga Nikola Vukcevic (trepikësh dhe gjuajtje të lira) e më pas nga Shaq Carter nga vija e gjuajtjeve të lira, bënë që Bashkimi në fund të triumfojë, me mitrovicasit që në akcionin e fundit të ndeshjes dështuan të shënojnë përmes amerikanit Ewuosho dhe ndeshja u mbyll me fitoren e vendasve, 73-72.

Të dyja skuadrat sonte kishin nga katër lojtarë me pikë dyshifrore.

Te Bashkimi, Nikola Vukcevic luajti me 22 pikë, Shaq Carter me 16, Ujkan Karanezi me double-double prej 13 pikëve e 12 kërcimeve dhe Musab Mala me 12 pikë.

Në anën tjetër, Mojeed Ewusho takimin e mbylli me 21 pikë, Deshawn Haygood shënoi 20 pikë dhe pati paraqitje fantastike në mbrojtje me plot 7 bllokada, ndërkohë që Burim Zekiqi shtoi 14 pikë dhe Kalin Fisher shtoi 13.

Xhiron që vjen, Bashkimi udhëton në Suharekë për t’u ndeshur me Yllin në palestrën “13 Qershori”, kurse Trepça i shkon Prishtinës në kryeqytet.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga