Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FC FERIZAJI

Vazhdojnë me Panadicin, marrin edhe ndihmës-trajner shtesë

Andrej Panadic, trajner i Ferizajit/ Foto: FCFerizaj/fb

Vazhdojnë me Panadicin, marrin edhe ndihmës-trajner shtesë


19 December, 2022 @14:16

Skuadra e Ferizajit ditë më parë bëri të ditur se ia ka vazhduar kontratën trajnerit kroat të ekipit, Andrej Panadic. Njeriu i cili erdhi pas rezultateve jo të mira të Ferizajit në klub, për të zëvendësuar Arbnor Morinën që kishte siguruar Superligën për Ferizajin, nuk është se arriti ndonjë ndërrim të madh në rezultate të ekipit.

Por, skuadra i ka besuar trajnerit Panadic edhe pjesën pranverore të stinorit, ndërsa sot ai do të nënshkruajë kontratën ka bërë të ditur klubi bardhekaltër.

“Tashmë edhe zyrtarisht ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me trajnerin kroat, Andrej Panadic. Kontrata pritet të nënshkruhet ditën e hënë, kur edhe do të rikthehet në Kosovë trajneri i mirënjohur, Panadic. Pavarësht që rezultatet nuk ishin ato që i kemi pritur, ne ishim e jemi të kënaqur me punën shumë profesionale që Panadic e bëri për dy muaj të sezonës vjeshtore. Besojmë fuqishëm se së bashku do i arrijmë qëllimet tona!” ka shkruar njoftimi i FC Ferizajit dje.

Ndërsa më pas ata kanë bërë të ditur se do të angazhojnë edhe ndihmës-trajner kroat, që është trajner me licensë A të UEFA-së, trajner kondicional si dhe profesior i kineziologjisë, Nikola Boroe.

FC Ferizaji, training

“Stafit të Panadic do i bashkohet edhe Nikola Boroe, i cili do jetë ndihmës trajner, me fokus në pjesën e përgatitjeve fizike. Trajneri Boroe ka një përvojë të gjatë në futbollin kroat, në opinionin atje, njihet për përkushtimin dhe disiplinën gjatë punës,” ka bërë të ditur FC Ferizaji.

Përndryshe, pak ditë më parë, gjatë javëve të kaluara Ferizaji bëri të ditur se ka ndarë rrugët me qendërmbrojtësin Elbasan Thaqi, kapitenin Florim Berisha, sulmuesin Qlirim Kashtanjeva, portierin Edmond Salihu, sulmuesin Gzim Rusi dhe mbrojtësin e majtë Gentian Emini.

Ferizaji ka paralajmëruar nisjen e fazës përgatitore për pjesën pranverore të stinorit prej datës 20 dhjetor 2022, nën direktivat e Panadicit dhe kontrollin e Boroes. Sherif Topalli, Isuf Berisha dhe Luan Alija, janë gjithashtu pjesë e stafit të trajnerëve të ekipit. Ndërsa ferizajasit kanë bërë të ditur se arsyetimet nuk do të jenë pjesë e shfaqjes së tyre, pasi që dëshirojnë që stinori të përfundohet me moton: Mission Completed!

Pas 18 xhirove, Ferizaji është i fundit në renditjen tabelare të Superligës me 13 pikë të tubuara, 6 më pak sesa Trepça’89 që gjendet mbi ta. Mbetet të shihet në fund të stinorit se si do të shkojë ecuria e klubit që qëndron mirë financiarisht për të parë se a do të mund të mbijetojnë stinorin në Superligë, që në stinorin kur u rikhtyen aty.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga